Italia do të duhet të miratojë kufizime strikte gjatë festimeve të Krishtlindjeve për të shmangur valë të tretë të pandemisë COVID-19 vitin e ardhshëm, tha në parlament ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza.

Rregullat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 4 dhjetori, do të përfshijnë ndalesë pothuajse totale të lëvizjeve ndërkombëtare dhe midis rajoneve italiane, që synojnë shmangien e përhapjes së virusit në të gjithë vendin dhe kufizimin e takimeve të mëdha.

Kufizimi do të jetë edhe më i ashpër më 25-26 dhjetor dhe 1 janar, kur qytetarët nuk do të lejohen të udhëtojnë as midis qyteteve.

Orë policore mbarëkombëtare në orën 22:00 do të mbahet po ashtu në natën e Krishtlindjes dhe natën e Vitit të Ri, duke detyruar kishat italiane të bëjnë përpara meshën tradicionale të mesnatës.

Qeveria italiane ende po diskuton disa përjashtime nga këto kufizime, ndoshta për studentët që planifikojnë të vizitojnë familjet e tyre në një rajon tjetër, ose prindërit dhe gjyshërit e moshuar që jetojnë vetëm dhe do të kalonin pushimet vetëm.

Speranza tha se sistemi tre nivelesh i miratuar nga qeveria për të frenuar valën e dytë të infektimit dhe për të shmangur një bllokim të ri po rezulton efektiv. Por, shtoi ai, kufizimet nuk mund të zbuten tani.

“Nuk kemi iluzione. Nëse e lëshojmë kontrollin tonë, vala e tretë do të jetë rreth qosheve”, u tha ai ligjvënësve italianë.

Italia ka regjistruar një ulje në kurbën e infektimit në katër javët e fundit, me infeksione që stabilizohen nën 20 mijë në ditë, por numri i vdekjeve ditore mbetet i lartë në mbi 500.

Ministri italian gjithashtu dha detaje mbi planin “masiv” të vaksinimit që Italia do të miratojë nga janari.

Ai tha se vendi ka porositur më shumë se 202 milionë doza të vaksinave anti-COVID-19, të cilat duhet të jenë të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë popullsinë italiane, pasi disa vaksina kërkojnë dy doza për secilin person.

“Kemi nënshkruar të gjitha kontratat që BE ka zyrtarizuar, ne nuk duam të rrezikojmë të mos kemi vaksina të mjaftueshme”, tha Speranza.

BE deri më tani ka nënshkruar kontrata me CureVac, AstraZeneca, Sanofi-GSK, Johnson & Johnson, BioNtech-Pfizer dhe Moderna, duke arritur të sigurojë mbi një miliard doza.

Ai shtoi se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme, por do të blihet dhe menaxhohet në një mënyrë të centralizuar dhe do të jetë falas për të gjithë pasi përfaqëson “një të drejtë universale”.

Dozat e para do t’u jepen kategorive “kritike”, atyre që janë më të ekspozuar ndaj ngjitjes. Fushata e vaksinimit do të fillojë me punëtorët shëndetësorë dhe sanitarë, të ndjekur nga pacientët dhe personeli i shtëpive të të moshuarve dhe të gjitha grupet e ndjeshme nga ana mjekësore./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA