Sipas aktakuzës 65-vjeçari Nicolas Sarkozy akuzohet për ryshfet dhe ndikim të paligjshëm mbi gjyqësorin. Për këtë ai mund të dënohet me dhjetë vjet burg dhe një gjobë disamilionëshe.

Sarkozy ishte president i Francës nga viti 2007 deri në 2012. Dy vjet pas përfundimit të mandatit të tij ai u përpoq sipas hetuesve të korruptojë një prokuror. Sipas akuzës, ai donte të arrinte të merrte informacion në lidhje me procedurën e hetimit kundër tij.

Së bashku me avokatin

Procesi fshihet pas shkurtesës të pakuptueshme ligjore “NSTH”. Sarkozy (NS) do të sillet para drejtësisë në gjykatën e Parisit së bashku me avokatin e tij të vjetër Thierry Herzog (TH). Procesi i Parisit, i cili pritet të zgjasë deri më 10 dhjetor, konsiderohet i pashembullt. Sepse një akuzë kaq e rëndë ndaj një ish-presidenti nuk ka patur kurrë në “Republikën e Pestë”, të themeluar në vitin 1958 nga legjendari Charles de Gaulle. Por nuk është hera e parë që akuzohet një ish- drejtues i Pallatit Elysée.

Nicolas Sarkozy

Paraardhësi i Sarkozy në pushtet Jacques Chirac u dënua me dy vjet me kusht për përvetësim dhe shkelje të besimit gjatë kohës së tij si Kryetar Bashkie i Parisit. Por Shirakut nuk iu desh të paraqitej në gjykatë në atë kohë për shkak të problemeve shëndetësore. Ndërsa pasardhësi i tij do të shkojë: “Unë jam thjesht luftarak”, tha Sarkozy së fundi në transmetuesin e lajmeve BFMTV. “Unë do të shkoj në proces. Do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve.”

Procesi po lëkundet që tani

Që para fillimit të procesit të pazakontë gjyqësor është spekuluar për një ndërprerje të mundshme: Një tjetër i akuzuar, juristi 73-vjeçar Gilbert Azibert, kishte kërkuar shtyrjen për arsye shëndetësore, raportuan mediat. Gjykata konfirmon, se avokati i Azibert ka bërë një kërkesë të tillë.

Afera është e komplikuar. “Sarko”, siç e thërrasin shpesh, thuhet se në fillim të vitit 2014 u përpoq që përmes avokatit të tij të merrte nga juristi Azibert informacione sekrete për një çështje tjetër. Azibert ishte në atë kohë avokat i përgjithshëm në Gjykatën e Kasacionit, gjykata më e lartë e vendit. Si kompensim ish-presidenti thuhet se i ka ofruar avokatit mbështetje në aplikimin e tij për një post në Principatën e Monakos.

Përgjim bisedash telefonike

Akuzat kundër Sarkozy bazohen në përdorimin e bisedave telefonike të përgjuara mes politikanit dhe avokatit Herzog. Në lidhje me ligjshmërinë e këtij përgjimi ka patur një debat të ashpër . “A do të silleshit kështu në botën e zotit Putin – por ne jemi në vendin e të drejtave të njeriut”, tha Sarkozy i indinjuar në një intervistë për BFMTV, duke iu referuar shefit të Kremlinit Vladimir Putin.

Frankreich Libyen Sarkozy GaddafiSarkozy dhe Gaddafi

Sarkozy dhe Herzog mund të pyeten në gjykatë, se përse ata përdorën për telefonatat celularë, të cilët ishin blerë me pseudonimin Paul Bismuth. Aparaturat ishin përgjuar në atë kohë, sepse kishte dyshime se Libia kishte dhënë para për fushatën zgjedhore të Sarkozy në 2007. Në atë kohë Sarkozy, si bartës i shpresës për të djathtën qytetare, fitoi duelin për postin më të lartë shtetëror kundër rivales socialiste Ségolène Royal.

Një rikthim?

Megjithë problemet e tij ligjore Sarkozy nuk është njeri i padëshiruar në atdheun e tij. Përkundrazi kujtimet e tij “Le Temps des Tempêtes” (“Koha e Stuhive”) u bënë bestseller në verë. Djali i një aristokrati hungarez nënshkruante nëpër librari ekzemplarët e librit. Në mesin e muajit nëntor ai ishte në festën zyrtare në përkujtim të përfundimit e Luftës së Parë Botërore në Harkun e Triumfit në Paris – në krah të pasardhësit të tij François Hollande dhe presidentit aktual Emmanuel Macron. Në kampin e së djathtës borgjeze të mbërthyer nga krizat ka ende shpresë për një rikthim: “Shumë prej nesh duan që Nicolas Sarkozy të kthehet”, tha sipas gazetës së përditshme “Le Monde” deputeti konservator me ndikim Eric Ciotti. Partia Les Républicains është ende duke kërkuar një kandidat për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen pas një viti e gjysmë./DW/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA