Rritja e pakontrolluar e rasteve të koronavirusit në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe paqartësia mbi kohëzgjatjen e kësaj situate e kanë bërë të pamundur kthimin në normalitet për periudhën afatshkurtër.

Por në Uashington, Qendra Kennedy e Arteve Skenike po realizon një kthim gradual dhe të kujdesshëm në aktivitet.

Dy nga tre skenat kryesore të Qendrës Kennedy për Artet Skenike mbeten të mbyllura. Por ky institucion madhor i artit në kryeqytetin amerikan ka ndërmarrë hapa për të rihapur sallën e operave.

Në tetor rifilluan shfaqjet operistike, por të modifikuara për realitetin e ri.

Për të parandaluar përhapjen e virusit, vetëm 50 spektatorë lejohen në sallë dhe ata ulen në skenë:

“Dolëm me idenë që spektatorët të qëndrojnë në skenë, pra të ndryshojnë vendet me artistët. Pra artistët interpretojnë para skenës jo nga skena,” thotë Robert van Leer me Qendrën Kennedy.

Kontrolli i temperaturës është i detyrueshëm, njerëzit ulen dy metra larg njeri-tjetrit dhe artistët duhet të bëjnë testin dhe të rezultojnë të paprekur nga koronavirusi.

“Të gjithë ka qenë në gjendje shumë të mirë shpirtërore, pjesërisht sepse spektatorët ndjekin tani interpretimin nga skena e sallës së operas. Tani spektatorët kanë një mundësi unike të futen pas skenave dhe të shohin objekte dhe fotografi nga realizime të kaluara. Kjo situatë u ka dhënë mundësinë që të ngjiten vetë në skenë,” thotë zoti van Leer.

“Është një ndjenjë e mrekullueshme kur luan muzikë në një hapësirë më të madhe. Unë vetë kam një studio të mirë, por është shumë e vogël,” thotë pianisti Lambert Orkis.

Qendra bëri modifikime kohët e fundit në sistemin e ajrosjes dhe tani ofron një shfaqje në javë.

Biletat shiten brenda pak minutash. Të gjithë në Qendrën Kennedy thonë se asnjë interpretim që transmetohet në ekran nuk arrin të ofrojë emocionet që ndjehen nga një interpretim në skenë.

“Në skenë ndjen energjinë që përcillet nga artisti tek spektatorët e anasjelltas. E ndjen gjatë heshtjes së sallës, si edhe gjatë duartrokitjeve në fund,” thotë pianisti Orkis.

Qendra Kennedy ka në kalendarin e dhjetorit vetëm dy shfaqje. Drejtuesit shpresojnë të shtojnë të tjera me përmirësimin e kushteve vitin e ardhshëm./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA