Në Maqedoninë e Veriut edhe të shtunë janë regjistruar shifra të larta të viktimave dhe të infektuarve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 25 viktima, 1.128 të infektuar dhe 707 të shëruar në 24 orët e fundit, nga testimi i 3.109 mostrave.
Viktimat janë: 6 në Shkup, 4 në Kumanovë, nga 3 në Tetovë dhe Prilep, nga 2 në Gostivar dhe Veles kurse nga 1 në Strumicë, Krushevë, Shtip, Kavadar dhe Manastir.
Sipas raportit të publikuar, nga 53,631 persona të diagnostikuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, 1.487 e kanë humbur jetën, 31.659 pacient; janë shëruar ndërsa numri rasteve aktive arrin në 20.485 persona.
Numri i personave që po trajtohen në spitalet e vendit ka arritur në 1.292 persona, shumë prej të cilëve janë në oksigjeno-terapi.
Shtabi i krizës në mbledhjen e parë pas shpalljes së gjendjes së krizës ka diskutuar mundësinë e angazhimit të Armatës në ruajtjen e institucioneve shëndetësore.
Kryetari i shtabit, Stojanço Angellov, ka thënë se “angazhimi i Armatës nuk do të thotë se vendi është në luftë”, por se kjo do të bëhet me qëllim që t’i ndihmohet organeve të rendit në zbatimin sa më efikas të masave të qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Gjendja e krizës në kohëzgjatje prej 30 ditëve u miratua të premten nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut me propozim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. Këshilli i Sigurisë gjendjen epidemiologjike e vlerësoi si shumë e rëndë, por gjendja e krizës nuk parasheh kufizim të lëvizjes./REL/
Top Channel