Buxheti për vitin 2021 u miratua ditën e sotme në seancën e Kuvendin me 84 vota pro.

Ndërsa 9 deputetë dolën kundër dhe 4 zgjodhën që të abstenonin.

Fokusi i këtij buxheti do të jetë përballimi i pandemisë Covid-19, ku institucioni që ka përfituar dhe do të përfitojë më shumë para është Ministria e Shëndetësisë.

Kryeministri Edi Rama tha nga foltorja e Kuvendit se në këto ditë do të miratohet buxheti për të ndihmuar të infektuarit me COVID që po trajtohen në shtëpi. Ai gjithashtu premtoi se do të dyfishohet ndihma ekonomike në një kohë të vështirë që po kalon i gjithë vendi.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ekonomisë, buxheti i ministrisë së Shëndetësisë është rritur me 2.2 miliardë lekë, duke shkuar në total 70 miliardë lekë.

Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaçeve që përdoren për pandeminë. Gjithashtu nga buxheti i vitit të ardhshëm do të përfitojnë dhe naftëtarët e Ballshit, ku vlera totale arrin 560 milion lekë.

Ky fond shtesë erdhi si rezultat i marrëveshjes së kryeministrit Rama me punonjësit e rafinerisë të cilët për 12 muaj do të përfitojnë një rrogë prej 40 mijë lekësh në muaj plus dhe siguracione të paguara.

Pritshmëritë për të ardhurat e buxhetit do ta kalojnë vlerën prej 479 miliardë lekësh të përcaktuar fillimisht dhe me shtesat buxhetore të miratuara të ardhurat mund të arrijnë mbi 483 miliardë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA