Gashi, në krye të UÇK-së në Llap/ Pas hetimit të UNMIK-ut u dënua me 6 vite burgim

16/11/2020 15:06

Latif Gashi i njohur ndryshe me nofkën “Lata” u bë anëtar i UÇK-së në vitin 1996.

Vetëm dy vjet pas, ai shërbeu si komandant i zonës operative të Llapit për periudhën 98-99, duke udhëhequr betejat e ushtrisë në këtë zonë në periudhën më kritike të luftës së UÇK-së ndaj ushtrisë serbe.

Por me të përfunduar lufta, mbi të rënkuan akuzat për krime lufte nga prokurorë ndërkombëtar, si rrjedhojë ai u arrestua me 28 janar të vitit 2002 nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK. Aktakuza e njohur si “Grupi i Llapit”, përveç Gashit përfshinte edhe dy anëtarë të tjerë të UÇK-së, ish-komandantin Rrustem Mustafa të njohur si “Remi” dhe is- ushtruesi i detyrës së komandantit të Policisë Ushtarake, Nazif Mehmeti. Pika pesë e aktakuzës ngarkonte Gashin dhe të tjerët se“nga tetori 1998 deri në prill 1999 në bashkëkryerje kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në themelimin dhe vazhdimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve shqiptarë të Kosovës, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në Llapashticë”.

Sipas kësaj pike, “Gashi dhe të pandehurit tjerë kanë mbajtur civilët në kushte çnjerëzore duke i privuar nga higjiena, uji, ushqimi dhe trajtimi i nevojshëm mjekësor”.

Ndërsa Pika 14 e akuzonte Gashin se “nga 2 gushti deri në fund të shtatorit 1998 ka urdhëruar dhe marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e një rojtari serb të pyllit, i cili ka qenë i ndaluar në qendrën e ndalimit në Bajgorë”.

Sipas aktakuzës kjo është bërë me qëllim që ai të detyrohet të pranonte se ka kryer veprime kundër UÇK-së ose të japë informacione për inteligjencën. Si rrjedhojë në vitin 2009 Latif Gashi u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 4 vjet burg për të dyja pikat.

Ndërsa në vitin 2013 ai u dënua edhe për pikën tetë, e cila e ngarkonte atë për rrahje dhe tortura në qendrën e ndalimit në Llapashticë. Si rrjedhojë, Gjykata Themelore në Prishtinë duke ia unifikuar të dy dënimet i shqiptoi masën prej 6 vjetësh burg, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.

Ky vendim u përcoll me ankesë në Gjykatë të Apelit, e cila në gusht të vitit 2015 dha vendim që Gashi të vuaj dënimin unik prej 6 vjet burgim. Kur Apeli konfirmoi vendimin prej 6 vjet burgim, Gashi ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, çka çoi në dorëheqjen e tij.

Në vitin 2016 ai u lirua me kusht nga Qendra korrektuese ne Smrekonicë dhe ishte në mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri në janar të 2018-ës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA