Biden merr Georgian, zyrtarizon fitoren në zgjedhje! Trump flet për një administratë të re

14/11/2020 10:43
Joe Biden

Joe Biden ka zyrtarizuar kështu triumfin në zgjedhjet presidenciale në SHBA, pasi kryesoi edhe në Georgia.

Me fitoren në shtetin e Georgias, Joe Biden ka zyrtarizuar kështu triumfin në zgjedhjet presidenciale në ShBA duke i dhënë atij 306 vota elektorale.

Sipas BBC, Donald Trump ka fituar shtetin e Karolinës së Veriut, por ajo i ka dhënë atij vetëm 232 vota elektorale.

Pavarësisht se kandidati republikan i ka kontestuar fort rezultatet e këtyre zgjedhjeve, ditën e djeshme Trump aludoi për formimin e një administrate të re.

Në një deklaratë për mediat, e para që pas zgjedhjeve, ai foli për pandeminë e koronavirusit për të cilën u shpreh se nuk do të marrë masa të tjera shtesë.

 “Çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kush e di se cila administratë do të jetë. Unë mendoj se koha do ta tregojë” tha Trump.

Rezultatet në Georgia dhe Karolinën e Veriut ishin të fundit që në garën për Shtëpinë e Bardhë. Votat elektorale të Biden janë të barabarta me rezultatin e arritur nga Trump në fitoren e tij ndaj Hillary Clinton në 2016.

Shtetet kanë kohë deri më 8 dhjetor që të zgjedhin përfaqësuesit në Kolegjin Elektoral të cilët më 14 dhjetor do të zyrtarizojnë dhe Presidentin e ri të ShBA-së.

Presidenti Trump ka nisur një sërë sfidash ligjore në shtetet kryesore dhe ka ngritur akuza të pabazuara për mashtrim të gjerë zgjedhor. Por përpjekjet e tij pësuan tre pengesa të Premten:

Në Arizona, ekipi i tij ka kërkuar një rishikim të fletëve të votimit të hedhura në ditën e zgjedhjeve pasi u bë e qartë se epërsia e rivalit të tij ishte e padiskutueshme.

Në Michigan, një gjykatës refuzoi një kërkesë nga dy vëzhgues republikanë të sondazheve për të bllokuar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve në Detroit të cilët kishin pretenduar mashtrim në Ëayne County

Në Filadelfia, Pensilvani, kërkesat e ekipit të Trump për të bërë të pavlefshme disa grupe votash me postë u refuzuan.

Top Channel