Bandat e drogës në Francë rekrutojnë fëmijë për të vrarë, adoleshentët joshen me para dhe përfundojnë në rrjetin e dhunës së mafies
Deputeti Erald Kapri ka ngritur në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes pyetje për praninë e një topi akustik në Shqipëri dhe për përfshirjen e mundshme të ekspertëve serbë në menaxhimin e protestave.
Gjatë diskutimit me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Kapri kërkoi të dinte nëse policia disponon një top akustik, pajisje që, sipas tij, është përdorur në Serbi dhe që shkakton zhurmë të fortë për të shpërndarë protestuesit.
“Është raportuar në media që në Shqipëri ka ardhur një top akustik, një pajisje teknologjie e nivelit të lartë që bën një zhurmë të papranueshme dhe largon protestuesit”, tha Kapri.
Deputeti pyeti gjithashtu nëse në Shqipëri kanë ardhur ekspertë nga Serbia për të ndihmuar në menaxhimin e protestave dhe trajnimin e efektivëve shqiptarë.
Drejtori i Policisë së Shtetit i mohoi të dyja pretendimet, duke deklaruar se nuk ka top akustik në Shqipëri dhe se asnjë punonjës i huaj policie nuk ka marrë pjesë në menaxhimin e protestave.
“As topi nuk është prezent”, deklaroi Hita, duke shtuar se “s’ka pasur asnjë punonjës policie të huaj që ka ardhur në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në menaxhimin apo duke na sugjeruar ndonjë gjë”.
Në debat ndërhyri edhe kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, i cili i cilësoi pyetjet e Kaprit si informacione të pakonfirmuara.
“Me muhabet kafenesh dhe të pakonfirmuara nuk mund të vazhdojmë”, tha Çuçi, duke theksuar se mjetet që përdor Policia e Shtetit lejohen nga manualet perëndimore.
Pjesë nga debati
Kapri – A keni top akustik të përdorur në Serbi? Është raportuar në media që në Shqipëri ka ardhur një top akustik, një pajisje teknologjie e nivelit të lartë që bën një zhurmë të papranueshme dhe largon protestuesit, i dëmton nga pikëpamja e dëgjimit e gjithçka tjetër?
Keni marrë ekspertë specialistë nga Serbia që ju ndihmojnë në menaxhimin dhe trajnimin e policëve për protestat?
Hita – Asnjë nga këto që thoni ju, zoti deputet, as nuk është përdorur dhe nuk do përdoret dhe s’ka pasur asnjë punonjës policie të huaj që ka ardhur në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në menaxhimin apo duke na sugjeruar ndonjë gjë. As topi nuk është prezent, asnjë nga këto çfarë thua ti. Ti do vetëm të spekulosh dhe me shifrat dhe thëniet që thua. Ka statistika zyrtare dhe asnjë prej protestuesve nuk ka vajtur në spital.
Çuçi – Me muhabet kafenesh dhe të pakonfirmuara nuk mund të vazhdojmë dhe për sa i takon mjeteve që përdor, zoti Kapri, që përdor policia, janë të gjitha mjete që i lejojnë manualet perëndimore për protesta të dhunshme që bëhen në vendet perëndimore sot, asgjë e jashtëligjshme nuk ka në ato mjete.
Për sa i përket buxhetit, ta tha drejtori shumë qartë, 0 lekë nga buxheti. Kjo na mjafton. Nëse doni informacion më shumë, mund t’ia bëni kërkesë me shkrim drejtorit të përgjithshëm të policisë.
Të jesh i bindur që brenda vendeve të NATO-s sigurisht që ka bashkëpunim jo vetëm për këtë gjë, por për çdo gjë tjetër që lidhet me sigurinë e një vendi.
Top Channel