Ngjarje e rëndë në Napoli, shembet ballkoni i një pallati, humb jetën punëtori që po e riparonte
Një hetim i BBC-së në Marsejë ka zbuluar një realitet tronditës brenda bandave kriminale të trafikut të drogës në Francë, ku fëmijë dhe adoleshentë rekrutohen për të shitur narkotikë, për të kryer rrëmbime, tortura dhe madje edhe vrasje.
Organizatat kriminale përdorin rrjetet sociale për të joshur të rinjtë me premtime për fitime të shpejta, makina luksoze dhe një jetë me para, por shumë prej tyre përfundojnë të bllokuar në një botë dhune, shfrytëzimi dhe krimi.
Në qendër të hetimit është banda famëkeqe DZ Mafia, e cila ka fituar kontrollin mbi një pjesë të konsiderueshme të tregut të drogës në Marsejë. Sipas hetimit të BBC-së, organizata ka zgjeruar rrjetin e saj të rekrutimit përtej qytetit, duke përfshirë të rinj nga zona të ndryshme të Francës, të cilët më pas angazhohen jo vetëm në shitjen e drogës, por edhe në aktivitete të dhunshme kriminale.
Një nga rastet më tronditëse të zbuluara nga hetimi është ai i dy adoleshentëve 15-vjeçarë, të cilët fillimisht iu drejtuan bandës për të gjetur një punë, edhe pse të paligjshme. Ata u mbajtën peng, u dhunuan fizikisht dhe u torturuan pasi drejtuesit e grupit i akuzuan për mungesë parash në llogaritë e shitjeve. Njëri prej tyre u përdhunua, ndërsa të dy arritën të kërkonin ndihmë përmes një shënimi që i dorëzuan një klienteje.
Gjashtë persona janë dënuar për torturimin dhe keqtrajtimin e dy të miturve. Hetimi sjell gjithashtu historinë e Hugo-s, një të riu që u largua nga familja në veri të Francës për të punuar në Marsejë. Prindërve u kishte thënë se kishte gjetur punë në një restorant, por vetëm tri javë më vonë nëna e tij mori telefonatën tragjike nga një mjek, i cili e njoftoi se djali ishte qëlluar në kokë. Policia dyshon se ai ishte përfshirë në aktivitetet e një bande kriminale.
Sipas të dhënave të cituara në hetim, gjatë vitit 2025 më shumë se 10 mijë fëmijë u përfshinë në një formë të aktivitetit të trafikut të drogës në Francë. Ndërkohë, tregtia e paligjshme e narkotikëve në vend gjeneron rreth 7 miliardë euro në vit dhe përfshin afërsisht 200 mijë persona.
Një nga mënyrat kryesore të rekrutimit janë rrjetet sociale, ku publikohen oferta për punë si korrierë, transportues droge dhe ekzekutorë. Shpesh, këto oferta shoqërohen me imazhe të krijuara për të tërhequr vëmendjen e të rinjve dhe për t’u premtuar fitime të mëdha.
Sipas autoriteteve franceze, që nga viti 2024 janë arrestuar rreth 1 mijë persona të lidhur me DZ Mafia, ndërsa 600 prej tyre janë dërguar në burg. Megjithatë, zgjerimi i rrjeteve kriminale dhe përdorimi i platformave dixhitale e bëjnë gjithnjë e më të vështirë luftën kundër tyre.
Hetimi i BBC-së nxjerr në pah edhe një tjetër aspekt shqetësues: fëmijët që hyjnë në këtë botë e kanë shumë të vështirë të largohen. Ata bëhen të varur nga drejtuesit e bandave, të cilët i shfrytëzojnë dhe i konsiderojnë të zëvendësueshëm, ndërsa vetë vazhdojnë të drejtojnë aktivitetin kriminal edhe nga burgu ose jashtë vendit.
Top Channel