Pjesëtarët e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës kanë protestuar të shtunën në shenjë pakënaqësive ndaj masave të marra nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të frenimit të koronavirusit.
Ata kanë zhvilluar një aktivitet simbolik para lokaleve të tyre, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe lugë.
Para mediave ka folur kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, duke e konsideruar të papranueshme marrjen e masave të reja.
“Nuk jemi kundër shtetit ose qeverisë. Presim një pako të veçantë për sektorin e gastronomisë. Nga ndihmat e qeverisë kanë përfituar edhe barnatoret, të cilat kanë punuar, kurse ne kemi qenë tërësisht të mbyllur”, tha Kllokoqi.
Sipas tij, nëse Qeveria e Kosovës nuk do të ndihmojë sektorin e gastronomisë, të hënën do të ketë protestë edhe më të madhe para qeverisë.
Të premten Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbyllë shumicën e bizneseve nga e premtja deri mëngjesin e të hënës, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në këtë vendim janë përfshirë edhe bizneset e gastronomisë.
Bizneset në Kosovë janë ndihmuar me 60 milionë euro në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike përgjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit.
Top Channel