Dhomat e Specializuara në Hagë bënë aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Veprat që rëndojnë mbi ta kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera ç’njerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore. “Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe e shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në, thuhet në njoftim.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë. Të katër ata, ndodhen tashmë në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Gjykata Speciale publikoi edhe emrat e disa zyrtarëve të tjerë të cilët po i konsideron pjesë të këtij grupi kriminal, përfshirë këtu Lahi Brahimaj, Rrustem Mustafen e Fatmir Limaj.
Top Channel