“Dimri do të jetë i vështirë”/ Pandemia, Merkel: Kemi përpara muaj të gjatë, por çdo gjë do të kalojë

29/10/2020 17:54

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar për një dimër të gjatë dhe të vështirë, ndërsa mbrojti vendimin për kthimin e izolimit kombëtar, ndonëse më të lehtë nga ai i pranverës.

“Dimri do të jetë i vështirë. Kemi përpara muaj të gjatë e të vështirë, por çdo gjë do të kalojë. Ne kemi parë tashmë në tetë muajt e shkuar se mund të mësojmë së bashku dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin…”, tha Merkel.

Zyrtarët gjermanë të shëndetësisë thanë të enjten se 89 persona kishin humbur jetën 24 orët e shkuara dhe një rekord prej 16774 infektimesh ishte regjistruar. Masat e reja në Gjermani, që hyjnë në fuqi të hënën, nuk janë aq të gjera sa ato në Francë, por përfshijnë sidoqoftë mbylljen e restoranteve, bareve, palestrave dhe teatrove. Franca kthen izolimin nga e premtja, me njerëzit që duhet të qëndrojnë në shtëpi, përjashtuar ata që kanë punë të domosdoshme apo duhet të dalin për arsye mjeksore. Britania e Madhe raportoi 24701 raste të mërkurën dhe 310 viktima të reja.

Një studim i ri atje tregon se thuajse 100 mijë vetë po preken nga virusi çdo ditë duke shtuar presionin mbi qeverinë që të ndryshojë politikë. Polonia raportoi shifra rekord të enjten, mbi 20 mijë raste dhe 301 viktima. Italia, ka marrë masa kufizuese që do të jenë në fuqi për një muaj, ndërsa raportoi të enjten 26831 raste të reja dhe 217 viktima. Spanja ka nisur ndalim qarkullimi në shkallë kombëtare, ndërsa Republika Çeke vazhdon të kryesojë për sa i takon shkallës së infektimit në kontinent.

Belgjika, e dyta në Evropë me shkallën më të lartë të infektimeve për frymë i ka spitalet plot me pacientë. Ndërsa Republika e Irlandës hyri në një izolim të dytë kombëtar më herët këtë muaj për gjashtë javë. Situata është alarmante edhe në Greqi, ku kryeministrui Micotaqis ka paralajmëruar masa të reja. Nga diota e sotme, Selaniku dhe qytete të tjera hyjnë në zonën e kuqe, me rrezikshmëri të lartë, duke u vendosur në karantinë. Në Selanik, testet e shpejta të covidit bëhen falas ndërsa rreth 400 raste të reja raportohen atje çdo ditë. Sipas parashikimeve, vendi është vetëm 2 deri në 3 javë pas vendeve të tjera evropiane.

 

 

Top Channel