Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vendosja e ndalim-qarkullimeve për shkak të koronavirusit mund të shmangej, nëse njerëzit do të kontribuonin për të frenuar përhapjen e virusit. Ndërkohë masat e fundit kufizuese kanë shkaktuar zemërim në Itali dhe përçarje mes popullatës në Spanjë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se jo vetëm qeveritë kanë përgjegjësinë të ndalojnë përhapjen e koronavirusit, por edhe njerëzit e bizneset.

Ne mund t’i shmangim bllokimet në nivel kombëtar, mund t’i shmangim kufizimit masive nëse gjithkush luan rolin e vet. Vendimet që marrim çdo ditë për të shmangur hapësirat e mbushura me njerëz apo mjediset e mbyllura për periudha të gjata kohore, vendimet që marrim lidhur me shmangien e grumbullimeve, janë sakrifica që të gjithë duhet t’i bëjmë“, thotë Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike e OBSH-së mbi çështje që lidhen me COVID-19.

Nga totali i rasteve me COVID-19 të raportuara javën e kaluar, organizata thotë se 46 për qind e tyre janë identifikuar në Evropë.

Nuk ka dyshim që Evropa është aktualisht epiqendër e sëmundjes. Ka shumë lëvizje dhe për këtë arsye mund të kërkojë mbyllje e kufizime, si dhe urdhra për qëndrimin në shtëpi në mënyrë që ta shuajmë këtë fazë të nxehtë të pandemisë“, thotë Dr. Michael Ryan, shef i emergjencave në OBSH.

Por disa nuk janë të kënaqur me rikthimin tek masat bllokuese.

Spanjollët janë të ndarë në lidhje me urdhrin e fundit për ndalim-qarkullim në nivel kombëtar, prej orës 11 në mbrëmje deri në 5 të mëngjesit.

Masat ishin të nevojshme. Kishte ardhur momenti të bëhej diçka më e ashpër“, thotë Cecilia e cila punon si sekretare.

Ndoshta vendosja e ndalim-qarkullimit është një masë që për shumë njerëz është tejet e fortë, në fund të fundit, mendoj se do të thellojë krizën ekonomike dhe do t’i detyrojë njerëzit të bëjnë gjëra të paligjshme, në vend që të jenë më të përgjegjshëm“, thotë Alexia, studente.

Spanja është një nga vendet më të goditura në Evropë me mbi 1 milion të infektuar që nga fillimi i pandemisë, shifra këto që vazhdojnë të rriten.

E vërteta është se përparimi i infeksioneve është shumë i shpejtë dhe shifrat qartësisht po rriten. Ka shumë të ngjarë që nëse nuk arrijmë të zbatojmë në mënyrë korrekte të gjitha masat, infeksionet do të vazhdojnë të rriten, të paktën edhe përgjatë javëve të ardhshme“, thotë Fernando Simón, Mbiqyrës i Çështjeve të Krizave Shëndetësore në Spanjë.

Ndërkohë në Itali policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e zemëruar me masat e fundit kufizuese lidhur me koronavirusin, që detyrojnë bare, kafene e restorante të mbyllen në orën 6 pasdite. Prej fillimit të pandemisë në Itali janë regjistruar më shumë se 560 mijë raste me COVID-19./VOA/

Top Channel