Në Ditën Ndërkombëtare të OKB-së, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se shpreh urimin që gjithashtu Republika e Kosovës të marrë sa më shpejt vendin që i takon si shtet anëtar me të drejta të plota në këtë organizatë.
“Dita e sotshme shënon 75-vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, e krijuar për të forcuar bashkëpunimin midis shteteve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. Sivjet mbushen gjithashtu 65 vjet nga pranimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është dita për të rikonfirmuar përkushtimin tonë për të ndjekur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe mbështetur misionin e OKB-së në ruajtje të paqes dhe sigurisë në botë. Në këtë 75-vjetor të OKB-së dua të shpreh urimin që gjithashtu që Republika e Kosovës të marrë sa më shpejt vendin që i takon si shtet anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate. Unë dhe qeveria e ardhshme e Shqipërisë do japim mbështetje të pakursyer për ta bërë këtë realitet”, shkroi Basha në Twitter.
Kombet e Bashkuara është organizata ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e së cilës daton që nga viti 1945. Qëllimi kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë. Ajo është vazhduese e Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë.
Iniciatorë të krijimit të saj u bënë fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, SHBA dhe Britania e Madhe, të cilët në pikën e 11-të të Kartës së Atlantikut të nënshkruar në 14 gusht 1941 dhe që përmbante principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm ranë dakord që pas luftës do të krijohej “..një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme”.
Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit antifashist dhe antinazist u ritheksua nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre.
Për më tepër lexoni këtu:
Top Channel