Milani vijon të fitojë si në kampionat ashtu edhe në Europë dhe duket se gjithçka po shkon më së miri për kuqezinjtë, por trajneri Pioli nuk mund të jetë plotësisht i qetë, pasi nga infermieria nuk vijnë fort lajme të mira.

Kjo pasi dy prej titullarëve si Ante Rebic dhe Hakan Calhanoglu vijojnë të jenë të dëmtuar dhe tani është konfirmuar plotësisht mungesa e tyre si në sfidën e të hënës ndaj Romës, ashtu edhe ndaj Spartës së Pragës të enjten.

Kroati ka nisur të stërvitet i veçuar, por ndjen akoma dhimbje në bërrylin e dëmtuar në ndeshjen përballë Crotones më 4 tetor, ndërsa turku ka një kavilje të ënjtur dhe vijon të qëndrojë pushim, nën monitorimin e mjekëve. Thënë ndryshe, Rebiç duket në rrugën e mbarë të rikuperimit, pasi shumë shpejt, ndoshta që nga ndeshja e fillimit të nëntorit ndaj Udineses, mund të jetë në dispozicion të Piolit, ndërsa Calhanoglu ka një shembje në kavilje dhe do të mungojë më gjatë.

Tekniku i Milanit pret me padurim rikuperimin e dy futbollistëve, pasi Rebiç me golat e tij dhe Calhanoglu me asistet e vrapimet pafund në fushën e lojës, janë një garanci më tepër për kuqezinjtë në rrugën drejt objektivave të tyre sezonale. Në pritje të rikuperimit të tyre, mund të fërkojnë duart futbollistë si Rafael Leao e Ibrahim Diaz, të cilët do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të treguar veten në fushë dhe për të fituar një vend titullari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA