U mbyll këtë të dielë edicioni i radhës së Turit të Rumanisë një prej garave më prestigjioze në rang rajonal. Ishte një kompeticion ku çiklizmi shqiptar ka lënë gjurmë duke konfirmuar njëkohësisht edhe rritjen e tij në arenën ndërkombëtare.

Në këtë edicion të Turit të Rumanisë që u mbyll me etapën e pestë për kuqezinjtë spikatën Gabriele De Fabritiis dhe Valentino Kamberaj të cilët e mbyllën këtë etapë përmbyllëse të këtij kompeticioni respektivisht në vendin e 6 dhe të 15. Për De Fabritiis pati një vend të 9 në etapën e parë, ndërkohë që rezultati më i mirë është vendi i pestë në etapën e dytë.

Megjithatë kjo aventurë në tokën rumune ka pasur edhe vështirësitë dhe momentet dramatike për delegacionin kuqezi pasi Lukas Sulaj Kloppenborg u bë viktimë e një rrëzimi në etapën e katërt. Pas mbylljes së kësaj eksperience në Turin e Rumanisë, kombëtarja shqiptare e çiklizmit do të fokusohet në evenimentin e radhës që është një kompeticion shumë i rëndësishëm siç është Kampionati Evropian i Rrugës që do të mbahet në Slloveni nga data 2 deri në 7 tetor me çiklistët shqiptarë që do të jenë mes 800 garuesve nga 50 vende të Kontinentit të Vjetër që do të garojnë mes tyre në 14 gara në 6 ditë.

Rezulatatet e De Fabritiis në Turin e Rumanisë dhe të qenit konstant i Kamberajt e përforcojnë akoma më shumë misionin e çiklizmit shqiptar që është përfaqësimi sa më dinjitoz i ngjyrave kuqezi në elitën evropiane.

Top Channel