Tottenham Hotspur konsiderohet si klubi favorit për të triumfuar në edicionin e 12-të të Europa League-s dhe në mënyrë të kuptueshme gjithçka lidhet ngushtë pikërisht me emrin e trajnerit të “gjelave”, Jose Mourinho, që është pa dyshim një ndër trajnerët më të suksesshëm në historinë e Kupave të Europës. Për hir të së vërtetës, ekipi londinez ka plot 12 vjet që nuk fiton një trofe, ndërsa në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të Kupave të Eeropës sukseset e klubit janë regjistruar kohë më parë, më saktë në vitet 1972 e 1984.

Fakti që 57-vjeçari portugez ka triumfuar në këtë aktivitet në të dy rastet kur ka marrë pjesë, në vitet 2003 e 2017, respektivisht me klube si Porto e Manchester United, i ka ngritur ndjeshëm aksionet e Tottenhamit për një sukses të mundshëm, në fund të sezonit, në “Stadion Energa të Gdanskut”. Sigurisht nga kjo pikë e sezonit nevojiten plot 15 ndeshje për të ngritur lart trofeun në takimin përmbyllës në Poloni dhe asgjë nuk është e sigurt në një kompeticion të tillë, ku rivaliteti është shtuar ndjeshëm dhe pengesat janë të shumta e të papritura, për më tepër asgjë nuk mund të hamendësohet në lidhje edhe me tetë skuadrat që do t’i bashkangjiten këtij kompeticioni në mesin e muajit shkurt nga Champions League, apo qoftë edhe për fortësinë e tyre.

“Spurs” e nisën herët aventurën e tyre në Europa League, të shtrënguar edhe nga suksesi i Arsenalit në derbin me Chelsea-n, në finalen e FA Cup, gjithsesi më shumë se sa emrat e kundërshtarëve vështirësi për Mourinhon paraqiste ngjeshja e kalendarit dhe problemet fizike të disa futbollsitëve.

Në harkun e vetëm 15 ditëve Tottenham Hotspur kaloi tri ture, me Lokomotivën e Plovdivit, Shkëndijën e Tetovës si dhe Makabi Haifën, kundërshtar të cilin e mundi thellë me shifrat 7-2. Trajneri luzitan dhe presidenti Daniel Levy kanë përforcuar ndjeshëm skuadrën, duke afruar pa bujë dhe pa shumë para lojtarë me shumë vlera, që i shkojnë për shtat lojës së trajnerit portugez.

Ndeshja hapëse e fazës së grupeve për “spurs” do të jetë sfida me LASK-un e Linzit, në orën 21:00, në “Tottenham Hotspur Stadium”, në Londër. Mourinho po harmonizon repartet dhe skuadra luan vërtet shumë mirë, për më tepër në 3 ndeshjet e fundit ekipi londinez ka shënuar plot 16 gola, 6 prej të cilëve pikërisht në portën e ish-klubit të tij Manchester United, madje brenda në “Teatrin e Ëndrrave”.

Skuadra e ka filluar pozitivisht edicionin e ri në Premiership, megjithatë ekipi meritonte një renditje më të mirë, duke marrë parasysh faktin që “gjelat” kanë humbur plot katër pikë, për vendime të gjyqtarëve dhe gabime të rënda në administrimin e avantazhit. Epërsia e dukshme e krijuar nuk është konkretizuar, e përshtypje bën pikërisht rasti i fundit kur skuadra kryesonte brenda në shtëpi 3-0 deri në 81’ dhe West Ham United i barazoi pasi kishte përfunduar edhe koha shtesë, me një gol fenomenal të Lanzinit. Natyrisht “çekanët” kanë hapur gjithmonë punë në derbi, madje edhe disfatën e parë në stadiumin e ri Tottenhamit ia ka shkaktuar pikërisht West Hami, ndërkaq edhe 27-vjeçari argjentinas sigurisht shënoi golin e jetës, por mbrojtja e “gjelave” ashtu si edhe në 11-metërshin e shkaktuar me Newcastle United në 96’ është shfaqur në fund qesharake dhe tepër e frikësuar.

Ndërkohë gazetarët vazhdojnë të sulmojnë pikërisht Mourinhon, duke e bërë fajtor për humbjen e pikëve, pas vendimit të tij për të hedhur në fushën e lojës “ish”-yllin e skuadrës Gareth Bale. Pyetja që lind natyrshëm është nëse Bale nuk hyn në fushë kur Tottenhami kryeson 3-0, atëherë kur do të përdoret futbollisti uellsian, por gjithsesi polemikat e gazetarëve grindavecë anglezë me trajnerin luzitan janë vërtet të famshme.

Tani kalendari është lehtësuar ndjeshëm dhe “spurs” nuk janë më të shtrënguar për të luajtur 4 ndeshje në 8 ditë, madje edhe kundërshtarët e skuadrës londineze në kampionat janë emra të tillë si Burnley, Brighton dhe West Bromwich Albion. Mourinho pritet të bëjë shumë ndryshime në formacion, pasi tani disponon nga dy lojtarë për çdo pozicion, për më tepër në Grupin J ai i ka mundësitë, duke patur parasysh që kundërshtarët e tjerë janë Ludogorets dhe Antwerp.

Po në orën 21:00, pas triumfit në derbi, Milani viziton Celtic-un në Glasgow, kundërshtar të cilin e ka mposhtur në tri takimet e fundit, pa pësuar as gol, ndërkaq në të njëjtën kohë do të luhet gjithahshtu edhe ndeshja Dinamo Zagreb – Feyenoord.

Më herët, në orën 18:55, priten gjithashtu gola, pasi në fushë zbresin Roma, Napoli dhe Arsenali, në sfida gjithsesi interesante. Young Boys – Roma, Napoli – AZ Alkmaar dhe Rapid Wien – Arsenal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA