Ecuria e pandemisë/ SHBA, situatë shumë kritike

22/10/2020 12:39

Numri i rasteve të prekura me koronavirus është duke u rritur në pjesën dërrmuese të Shteteve të Bashkuara. Pandemia e koronavirusit është duke mbushur spitalet me pacientë, duke shtyrë autoritetet nga shteti amerikan Viskonsin që të lëshojnë paralajmërime për sisteme të mbigarkuara shëndetësore.

Numri i personave të vdekur ka shënuar rekorde të reja në gjashtë shtete amerikane në perëndim të Shteteve të Bashkuara. Mesatarja shtatëditore e numrit të vdekjeve brenda një 24-orëshi në SHBA, qëndron në 757, ndërsa numri total i viktimave ka prekur shifrën 222,000. Zëvendës-drejtori i sëmundjeve infektive në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA,  Jay Butler, ka thënë se territori amerikan po përballet me “trend shqetësues”, të shtimit të rasteve me koronavirus. Butler ka thënë më 21 tetor se një faktor i rritjes së shkallës së infektimit është qëndrimi i njerëzve në ambiente të mbyllura, pas ftohjes së motit.

Ai ka shtuar se “organizimet më të afërta me familjen, miqtë dhe fqinjët mund të ndikojnë në rritje të infektimeve”, meqë aty njerëzit i kushtojnë më pak rëndësi vendosjes së maskës dhe distancimit fizik.

Top Channel