Arrestohet një person për kërcënime kundër kandidatit për President, Joe Biden

22/10/2020 09:54

Një rezident i shtetit Meriland është arrestuar nën akuzat se ka bërë kërcënime ndaj kandidatit demokrat për president, Joe Biden.

I arrestuari u identifikua si 42-vjeçari Dale Reed, i cili akuzohet se ka kërcënuar me dhunë seksuale Senatoren Kamala Harris, kandidate demokrate për nënpresidente. Sipas akuzës, ai kishte lënë një letër në hyrje të shtëpisë së një fqinji që kishte vënë para shtëpisë një pankartë në mbështetje të Joe Biden dhe zonjës Harris.

I arrestuari, i cili fillimisht mohoi se e kishte lënë letrën me kërcënime, ishte regjistruar nga një kamera sigurie e fqinjit duke e lënë letrën më 4 tetor.

Prokurorët thonë se Dale Reed u mor në pyetje në banesë dhe më pas u arrestua pasi e pranoi se kishte lënë letrën.

Në një deklaratë, Prokurori i Distriktit të Merilandit, Robert Hur tha se kërcënimet ishin akte të paligjshme dhe se zyra e tij e trajton me seriozitet një akt të tillë.

Shërbimi Sekret që mbron presidentin dhe kandidatët për president, ka paraqitur një padi në gjykatë federale kundër të pandehurit, i cili tha se e kishte lënë letrën pasi ishte i shqetësuar nga situatë politike, sipas padisë.

Pak ditë më parë më shumë se dhjetë vetë u arrestan për komplot për të rrëmbyer guvernatoren e Miçiganit Gretchen Whitmer, ndërkohë që janë shtuar shqetësimet për akte të mundshme dhune gjatë ciklit zgjedhor.

Ky rast nuk është incidenti i parë që Dale Reed përballet me akuza për deklarata kërcënuese. Në 2014, ai kishte bërë kërcënime të ngjashme ndaj një personi të paientifikuar, i cili ishte nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret.

Top Channel