Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë Zahir Tanin, e përshëndeti vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe i bëri thirrje të dyja palëve t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura mes tyre përmes bisedimeve konstruktive.
Në një sesion-video të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku u diskutua raporti i ri gjashtëmujor për punën e UNMIK-ut, Tanin theksoi se takimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Uashington kanë treguar potencialin për përparim “në zgjidhjen e mëtejshme të çështjeve të rënda”.
“Kushtet më të rëndësishme që duhet të plotësohen, në mënyrë që bisedimet të kenë sukses, janë uniteti politik, përkushtimi i fuqishëm dhe vullneti i mirë, në Prishtinë dhe në Beograd, si dhe ekzistenca e përkrahjes ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Tanin.Ai nënvizoi se publikimi i propozimit të aktakuzës së Dhomave të Specializuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është përcjellë në Kosovë me akuza që puna e kësaj Gjykate është “politikisht e motivuar”.
“Reagimet e caktuara në opinionin e Kosovës kanë qenë shqetësuese,përfshirë edhe përpjekjet që të vihet në pikëpyetje legjitimiteti i Dhomave të Specializuara, si dhe pretendimet që puna e tyre është politikisht e motivuar. Fatkeqësisht liderë politikë të caktuar nuk kanë ndihmuar gjithmonë që këto deklarata të rreme të korrigjohen”, u shpreh shefi i UNMIK-ut.
Top Channel