Afganistan, mbi 30 policë të vdekur në sulmet e talebanëve

21/10/2020 18:31

Gjatë sulmeve të talebanëve kanë humbur jetën mbi 30 policë dhe shefi i sigurisë i provincës veriore Takhar të Afganistanit.

Sipas zyrtarëve lokalë, kryengritësit talebanë organizuan sulme të shumta të koordinuara mbi pozicionet e sigurisë natën vonë të së martës.

Deri më tani janë sjellë trupat e 34 policëve në spitalet publike, tha për AA, zyrtari shëndetësor Syed Abdul Qayum.

Talebanët ende nuk janë prononcuar mbi sulmet vdekjeprurëse që vijnë në një kohë kur grupi është i angazhuar në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA me Kabulin në kryeqytetin e Katarit që nga 12 shtatori.

Zëdhënësi kryesor i talebanëve, Zabiullah Mujahid dhe uebfaqja propaganduese e grupit nuk kanë thënë asgjë në lidhje me dhunën e përshkallëzuar në të gjithë Afganistanin.

Sidoqoftë, dhjetëra llogari të mediave sociale pro-talebane postuan pretendime për fitime në Helmand dhe një numër provincash të tjera.

Top Channel