​Ambasadori gjerman i ofron mbështetje Komunës së Kamenicës

21/10/2020 16:50

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, ka vizituar Komunën e Kamenicës, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Qëndron Kastrati.

Rohde ka thënë se në këtë takim është informuar nga kryetari rreth gjendjes sociale dhe ekonomike të kësaj komune. Duke falënderuar kryetarin Kastrati për vizitën, Rohde tha se kanë diskutuar për zhvillimin e Kamenicës në të ardhmen.

“Jam për herë të parë në Komunën e Kamenicës dhe kryetari më ka informuar rreth situatës ekonomike, arsimore dhe sfidave me të cilat përballet komuna. Ne mendojmë se është e rëndësishme që edhe në rajonet e tjera përveç kryeqytetit të jenë të zhvilluara dhe të kenë edhe një ekonomi të zhvilluar në mënyrë që ato edhe me tej të kenë çfarë të iu ofrojnë qytetarëve të mbetën atraktiv, në mënyrë që ata të mos largohen nga komuna, qoftë brenda shtetit apo dhe jashtë”, ka thënë Rohde.

Ndërsa kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka falënderuar ambasadorin Rohde dhe shtetin gjerman që përmes organizatave të ndryshme ka përkrahur Kosovën, por edhe këtë komunë. Kryetari Kastrati tha se në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, për nevojat e kësaj komune, si dhe mundësisë së zhvillimit të kësaj pjesë që të krijohet ambient me i mirë për qytetarët.

“Është një prej vizitave të para që e ka bërë Komunës, e falënderoj dhe e përgëzoj që e ka një qasje që dëshiron t’i sheh të gjitha pjesët e Kosovës dhe gjitha komunat. Ne gjithashtu e falënderuam shumë ambasadorin që qytetarët e Gjermanisë, qeveria e Gjermanisë përmes organizatave të ndryshme e ka përkrahur Kosovën, në veçanti edhe komunën e Kamenicës në disa programe dhe projekte të ndryshme. Gjithashtu e kuptuam para pak ditëve që Qeveria e Gjermanisë është qeveria e cila ka mbështetur me së shumti këtë vit Kosovën, pra i jemi mirënjohës dhe i falënderojmë. Po gjithashtu pjesa më e madhe e diskutimit ka qenë në raport me mundësitë e bashkëpunimit për të ardhmen, nevojat e këtij regjioni, të komunës së Kamenicës, dhe si mundemi me e zhvillua më shumë këtë pjesë që me krijua një ambient dhe një mjedis sa më të mirë për qytetarët”, tha ai.

Kastrati ka thënë se nga ambasadori gjerman është kërkuar përkrahje në aspektin e diversitetit, bashkëjetesës në mes të kombësive dhe feve të ndryshme që jetojnë në këtë rajon. /Kosova Press/

Top Channel