Duke filluar nga nesër do të kufizohet trafiku në zonën e Unazës së Madhe, tek ish sheshi “Shqiponja”, pasi do të shemben disa objekte tek zona e Astirit, ndërkohë që do të fillojnë faza e tretë e punimeve për pjesën e tretë të kësaj rruge, që do të zgjas 4 muaj.
Gjatë inspektimit të punimeve në rrethrrotullimin e doganës drejtori i policisë së Tiranës Rebani Jaupaj tha se një zgjidhje derisa të përfundojnë punimet dhe për të shmangur trafikun në hyrje dhe në dalje të autostradës Tiranë-Durrës, do të jetë udhëzimi i drejtuesve të automjeteve që vijnë nga Durrësi për të përdorur rrugën e Ndroqit, si dhe nga Rrogozhina drejt rrugës së Elbasanit.
Jaupaj u shpreh se do të lihet një korsi emergjence, duke qenë se për shkak të situatës së Covid-19 urgjencat mjekësore do të jenë më të shpeshta.
Drejtori i policisë së Tiranës tha se për të shmangur trafikun e rënduar në Tiranë, është punuar për hartimin e një plani, detajet e të cilit do bëhen publik në vijim.
“Ne do të bëjmë ndryshim të planit të veprimit të policisë. Do të shtojmë forcat e policisë. Bashkia do na vijë në ndihmë me korsinë e emergjencës. Do mbajmë një korsi emergjencash ndërsa pjesën tjetër do ta menaxhojmë në tre korsi hyrjen në Tiranë. Do të menaxhojmë këtë trafik dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Rruga e Elbasanit do të na ndihmojë. I bëj thirrje drejtueseve të mjeteve që e kanë të domosdoshme të vijnë në Tiranë të gjejnë rrugë alternative. Mund të aksesohet edhe rruga e Ndroqit. Qytetarët të eliminojnë lëvizjet e pa domosdoshme nga dogana. Të përdoret edhe rruga nga Rrogozhina deri në Elbasan për të ardhur nga Rruga e Elbasanit. Nesër fillon prishja e godinave të shpronësuara për t’i hapur rrugë rrugës së Treshit. Do krijohet rrethrrotullimi në zonën e Astirit”, u shpreh Jaupaj.
Pas përfundimit të fazës së parë dhe të dytë të punimeve, faza e tretë është faza më e vështirë dhe e komplikuar dhe do të zgjasë katër muaj. Drejtori i ARSH Ergys Verdho tregoi si do orientohet lëvizja e automjeteve përgjatë 4 muajve që do të kryhen punimet në këtë zonë.
“Nga autostrada e Durrësit mjetet do të futen po prapë me tre korsi në drejtim të “Pallatit me Shigjeta”. Mjetet e tjera që vijnë nga “Pallati me Shigjeta” derivojnë në dy korsi dhe vijnë bashkohen me këta që vijnë nga Tirana. Në këtë pjesë do të zgjidhet me një korsi shtesë. Do të shkohet deri te Astiri me një rrethrrotullim, ku do të mundësohen të futen për në Tiranë. Është faza e tretë që do të zgjas katër muaj intensive ditë e natë”, u shpreh Drejtori i ARSH, Ergys Verdho.
Ndërkohë, ministrja Balluku njoftoi se ditën e nesërme do të nisë prishja e banesave në lotin 3 dhe gjatë kësaj periudhe trafiku do të vijojë të mbetet i kufizuar.
Top Channel