Rihanna kërkon falje për vargjet islamike në prezantimin e linjës Fenty për të brendshmet

06/10/2020 20:47

Rihanna ka kërkuar falje për përdorimin e një kënge të kontestuar në shfaqjen e fundit të prezantimit të linjës së saj të veshjeve të brendshme, Savage X Fenty.

Zhvillimi vjen pas kritikave të shumta në rrjet për përdorimin e këngës ‘Doom’ nga artisti Coucou Chloe, ku përfshihet dhe teksti musliman i njohur si Haditi.
Rihanna pranoi se përdorimi i tekstit ishte “i papërgjegjshëm” dhe një “gabim i ndershëm pakujdesie.”

Haditi është pjesë e një koleksioni tekstesh me fjalë të thëna nga profeti musliman Muhamed. Pas librit të shenjtë Kuran, Haditet janë nga tekstet më të rëndësishme fetare të muslimanëve.

Vargjet arabe të përdorura në të janë pjesë e Haditit për Ditën e Gjykimit.

Autorja Coucou Chloe gjithashtu ka kërkuar falje duke thënë se nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së vargjeve islamike.

Raportimet erdhën nga disa gra muslimane pas prezantimit të linjës së veshjeve në rrjetin Amazon Prime më 2 tetor.

Komentuesja me origjinë islamike Hodhen Liaden, tha se është fanse e Rihanna dhe linjës Fenty por beson se përfshirja e këngës ishte një gabim.
Ajo shton se është “e bukur” të shohësh kërkesën e ndjesës nga Rihanna por beson se firmat e mëdha “duhet të kenë më shumë njerëz muslimanë brenda industrisë për të kuptuar tema si këto”.

“Islami nuk është estetikë, feja nuk është estetikë. Diçka e tillë nuk i respekton njerëz si unë edhe pse mund të tingëllojë bukur për ju,” tha Hodhen.
Hodhen thotë se ka blerë më parë produkte Fenty por incidenti mund të ndryshojë mendjen e saj.

Një tjetër komentuese e njohur me origjinë muslimanë Arooj Aftab tha se u ndje e ofenduar nga video.

“Fjalë të Haditit të vendosura në një këngë ku gratë kërcejnë të veshura me të brendshme. Islami është një fe shumë modeste. Kjo nuk i përshtatet muslimanëve”, tha ajo.

Edhe në vitin 2013, Rihanna u dëbua nga një xhami në Abu Dhabi pasi pozoi për “foto të papërshtatshme”.

FOTO GALERI
3/3
Komentuesja me origjinë islamike Hodhen Liaden, tha se është fanse e Rihanna por beson se përfshirja e këngës ishte një gabim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA