Foto e parë e Papa Leone XIV pas operacionit, shfaqet duke kremtuar Meshën në spitalin ku ndodhet i shtruar

16/10/2026 17:23

“Lutja e Engjëllit të Zotit do të mbahet”. Ky është konfirmimi i dhënë nga Zyra e Shtypit e Vatikanit, ndërsa Papa Leone XIV vijon rikuperimin pas ndërhyrjes kirurgjikale të kryer të martën në Poliklinikën Gemelli të Romës.

Të dielën, një javë pas njoftimit të papritur për gjendjen e tij shëndetësore, Ati i Shenjtë pritet të mos e ndërpresë traditën e lutjes së përjavshme. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se ku dhe në çfarë forme do të zhvillohet lutja e Engjëllit të Zotit.

Ndërkohë ditën e sotme, në orën 12:00, Papa Leone XIV ka kryesuar meshën e parë gjatë qëndrimit në spital. Sipas një njoftimi të Vatikanit, ceremonia u zhvillua në një sallë të posaçme, në katin e dhjetë të Poliklinikës Gemelli.

Në meshë morën pjesë mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë të spitalit, të cilët në atë moment ishin jashtë shërbimit, si edhe pjesëtarë të Xhandarmërisë së Shtetit të Qytetit të Vatikanit.

Gjatë homelisë së tij, Papa falënderoi të gjithë personelin shëndetësor për punën e përditshme në kujdesin ndaj të sëmurëve dhe përkushtimin ndaj njerëzve në gjendje të brishtë shëndetësore. Ai shprehu mirënjohjen e veçantë për kujdesin që mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë i kanë kushtuar edhe atij gjatë këtyre ditëve.

Sipas buletinit të fundit mjekësor, gjendja e përgjithshme e Papës po përmirësohet vazhdimisht. Analizat e gjakut dhe radiografia e toraksit, të kryera të premten në mëngjes, kanë konfirmuar ecurinë pozitive të rikuperimit.

Ndërkohë, Ati i Shenjtë ka vijuar seancat e fizioterapisë respiratore. Rikuperimi pas operacionit i mundëson tashmë të kryejë në mënyrë të pavarur aktivitetet e zakonshme të përditshme.

Lajmi është bërë i ditur nga mjekët Luigi Carbone dhe Stefano Margaritora, të cilët po ndjekin ecurinë e gjendjes së tij shëndetësore.

Nga Zyra e Shtypit e Vatikanit bëhet e ditur se Papa është në humor të mirë dhe ka vijuar edhe aktivitetin e tij të punës gjatë qëndrimit në spital. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse Leone XIV do të dalë nga Poliklinika Gemelli të shtunën apo në ditët në vijim.

“Për momentin, mbetet në fuqi ajo që u tha fillimisht nga mjekët, pra shtatë ditë rikuperim, por do të shohim”, është bërë e ditur nga burimet e Vatikanit.

Top Channel