“Kreditë me probleme shënuan një rënie të lehtë gjatë pjesës së parë të vitit, si rrjedhojë e masave të marra nga Banka e Shqipërisë për shtyrjen e kësteve të huave si mbështetje ndaj bizneseve dhe individëve të prekur më rëndë nga kriza.”

48 miliardë lekë ose rreth 387 milionë euro ishte stoku kredive me probleme i sistemit bankar gjatë periudhë Janar – Qershor.

Sipas të dhënave, raporti i këtij treguesi zbriti në 8.1% në gjashtëmujorin e parë të vitit nga 8.4% që ishte në fund të vitit të kaluar.

Kjo tendencë rënëse sipas bankës qendrore ka ardhur kryesisht si rezultat i ristrukturimi të huave për rreth 6 muaj, duke iu dhënë mundësi bankave që të pezullojnë përkohësisht evidentimin e kredive me probleme.

Gjithashtu, rënia vjetore është ndikuar edhe nga përshpejtimi i fshirjes së kredive të humbura në fund të 2019-ës, ku efektin më të madh mund ta ketë dhënë rregullorja që detyron bankat të nxjerrin jashtë bilancit kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.

Por, duke qenë se masat për shtyrjen e pagesave të kredive ishin të përkohshme dhe situata me Covid-19 është e paqartë, gjendja e huamarrësve mund të vështirësohet më tej për shkak të papunësisë, duke sjellë rënie të të ardhurve dhe rrjedhimisht shtim të kredive me probleme, shqetësim i ngritur edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

 “Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar një rritje të kredive me problem për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Në këto kushte, apelon autoritetet që të mbështesin huamarrësit e goditur nga kriza si dhe të përmirësojnë kuadrin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në rast të një zgjatje në kohë të pandemisë.”

Përgatiti: Genta Dobra

Top Channel