Emrat-Fotot/ Grabitën “shtëpinë e barit” në Angli, dënohen me burg katër shqiptarët. Si u dështoi plani “gjenial”

11/05/2024 10:23

Janë dënuar me burg katër shqiptarët që u kapën në një “shtëpi bari” në Londër, të cilën shkuan për ta grabitur. 

Denis Loka, 22 vjeç, Marsel Tushollari, 42 vjeç, Kreshnik Xhaferi, 41 vjeç dhe Kristo Pocaj, 31 vjeç, udhëtuan drejt Gateshead në orët e para të 29 nëntorit të vitit të kaluar për të grabitur një banesë, por fqinjët i pikasën dhe njoftuan policinë.

Oficerët mbërritën në vendngjarje dhe hynë në ambientet për të gjetur të pandehurit dhe zbuluan gjithashtu se banesa po përdorej si fermë kanabisi. Tri nga dhomat po përdoreshin për të rritur bimë, ku u gjetën qindra bimë në faza të ndryshme të kultivimit.

Në gjykatë u tha se Loka, Tushollari dhe Xhaferi nuk kishin asnjë dënim të mëparshëm, ndërsa Pocaj kishte dy dënime për trafik droge.

Të katër ata u deklaruan fajtorë për vjedhje të një shtëpie, të pabanuar,  ku Loka, Tushollari dhe Xhaferi u dënuan me 15 muaj burgim, ndërsa Pocaj u dënua me 21 muaj burgim.

Top Channel