26 vende në garë, sot finalja e “Eurovision”! Eventi më i madh muzikor mes protestave për konfliktin në Gaza

11/05/2024 09:09

Finalja e 68-të e Eurovision Song Contest zhvillohet këtë të shtunë në Malmoe të Suedisë.

26 vende përfaqësohen në garën më të madhe muzikore në botë. Me më shumë shanse deri tani konsiderohej kënga kroate e Baby Lasagna, por pak para finales po përmendet gjithnjë e më shumë edhe kënga izraelite e Eden Golan, përfaqësueses 20-vjeçare nga Izraeli, që ndodhet në vendin e dytë tek këngët me më shumë shanse për fitoren.

Eurovizioni nuk do që të jetë politik, por vetëm një festë e madhe e muzikës. Megjithatë konflikti në Gaza e ka shoqëruar këto ditë këtë festë muzikore. Megjithëse unioni i transmentuesve europianë, EBU përpiqet të pengojë që konflikti në Gaza të hedhë hije mbi muzikën, protestat e kanë shoqëruar këtë eveniment. Eurovizioni 2024 është shoqëruar nga protesta të gjera kundër pjesëmarrjes së Izraelit në garën muzikore.

Mijëra vetë në Malmoe kërkuan këto ditë përjashtimin e Izraelit për shkak të ofensivës në Gaza. Që politika ka pasur efekt në Eurovizion u vu re edhe para dy vjetësh, kur Rusia filloi luftën në Ukrainë. Atëherë fitoi Orkestra Kalush e shoqëruar nga një përkrahje e jashtëzakonshme e publikut. Përfaqësuesit ukrainas e përdorën fitoren për mesazhe politike. Të shtunën policia ndodhet në gjendje të lartë gatishmërie në Malmoe dhe mbështetet nga forca policore nga Danimarka e Norvegjia.

Shqipëria me këngën “Titan” të Besës nuk arriti të kualifikohej në finale.

Top Channel