Ajrimi i dhomave është shtuar në formulën e qeverisë gjermane për të luftuar koronavirusin, në një lajm të shumëpritur nga ekspertët e higjenës së ajrit në vend që kanë kërkuar që kjo të bëhej zyrtare prej muajsh.
Në fakt, ajrosja e dhomave është një lloj fiksimi kombëtar me shumë gjermanë që zakonisht hapin dritaret të paktën dy herë në ditë, edhe në dimër. Shpesh kërkesa është e përfshirë në një klauzolë detyruese në kontratat e qirave, kryesisht për të mbrojtur nga lagështira dhe era e keqe.
Por ndërsa disa njerëz mund ta hedhin poshtë metodën, duke e quajtur primitive, ajo mund të jetë një nga mënyrat më të pa kushtueshme dhe më efektive për të evituar përhapjen e virusit- insistoi Angela Merkel. Kancelarja shpjegoi se udhëzimet e qeverisë për të luftuar virusin janë, distancim, higjenë dhe maskë.
E tani, atyre u shtohet edhe ajrimi i ambjenteve. Ajrimi i rregullt në të gjitha ambjentet private dhe publike, mund të reduktojë në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e infeksioneve – shpjegohet në rekomandimet e qeverisë.
Ajrimi, sipas ekspertëve të higjenës së ajrit, do të thotë hapja e një dritareje në mëngjes dhe në mbrëmje, për të paktën pesë minuta, në mënyrë që të lejohet qarkullimi i ajrit.
Akoma më efikas, sipas ekspertëve, është ajrimi përmes hapjes së disa dritareve në një shtëpi apo apartament në mënyrë që të krijohen korrente që do të nxjerrin jashtë ajrin e ndenjur dhe të fusin brenda ajrin e pastër.
Top Channel