Shtyhet takimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, shkak situata nga Covid-19

26/09/2020 00:58

Takimi i ri në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë, i parashikuar të mbahej të hënën në Bruksel, është shtyrë, siç thuhet, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.

Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një postim në Twitter. Një ditë më herët, Lajçak kishte konfirmuar se të hënën do të zhvillohej takimi mes shefave të dy ekipeve negociatore, Skënder Hyseni dhe Marko Gjuriç dhe se temë diskutimesh do të ishin pretendimet financiare dhe ato të pronësisë ndërmjet dy vendeve.

Lajçak nuk dha detaje se për sa kohë është shtyrë takimi i radhës. Disa shtete të Evropës, përfshirë Belgjikën, janë duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus. Megjithatë, nga ana tjetër, edhe njoftimet e mëhershme për mbajtjen e këtyre bisedimeve nuk dukeshin shumë optimiste. Palët kanë shfaqur qëndrime të kundërta rreth diskutimit për marrëveshjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në Kosovë vazhdojnë të insistojnë se kjo është “çështje e mbyllur” dhe nuk do të flitet në Bruksel, ndërsa delegacioni i Serbisë e ka kushtëzuar praninë në vazhdim të dialogut pikërisht me gatishmërinë e Kosovës për të folur mbi këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA