Bankat globale, për gati dy dekada, kanë transferuar mbi dy trilionë dollarë pagesa, që ato besonin se ishin të dyshimta, thuhet në një raport të publikuar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues.
Raporti bazohet në mijëra dokumente që kanë rrjedhur në publik nga krahu i Departamentit amerikan të Thesarit, që heton pastrimin e parave.
Dokumentet tregojnë se si bankat kryesore perëndimore, përfshirë JPMorgan dhe Deutsche Bank, i kanë ndihmuar rrjetet kriminale në të gjithë botën, përfshirë ato në ish-Bashkimin Sovjetik, të lëviznin dhe të fshihnin para.
Mbi 2,100 dokumentet e Rrjetit të Krimeve Financiare janë publikuar fillimisht nga Buzzfeed dhe më pas janë shpërndarë te mbi 400 gazetarë në gjithë botën, për hulumtime të mëtejshme.
Dokumentet e Rrjetit të Krimeve Financiare përbëhen nga Raporte të Aktivitetit të Dyshuar, të cilat datojnë nga viti 1999 deri më 2017.
Bankat i paraqesin raportet e tilla te Rrjeti i Krimeve Financiare kur kanë shqetësime për ligjshmërinë e një transaksioni.
Bankat në të gjithë botën kanë paraqitur mbi dy milionë Raporte të Aktivitetit të Dyshuar, vitin e kaluar.
Më 2017, dokumente sekrete globale kanë rrjedhur edhe nga Appleby dhe Estera, dy ofrues të shërbimeve ligjore.
Të njohura si Letrat e Parajsës, ato kanë zbuluar marrëdhëniet financiare të politikanëve, celebritëve dhe udhëheqësve të biznesit.
Top Channel