Një oficer policie në kryeqytet është kërcënuar përmes rrjeteve sociale nga një i ri tashmë i vendosur nën hetim nga prokuroria. I dyshuari identiteti i të cilit për shkaqe hetimore identifikohet nga hetuesit si shtetasi S . Ogici i shkroi oficerit të policisë së Tiranës frazën ” të hudh në erë !” . Kërcënimi mendohet se ka lidhje me detyrën e oficerit .
Burimet e prokurorisë së kryeqytetit shpjegojnë se hetimi është regjistruar për veprën e kanosjes për shkak të detyrës dhe për këtë shkak janë administruar edhe të dhënat kompjuterike të llogarisë së facebook që i përket oficerit denoncues me inicialet E. R 32 vjeç dhe gjithashtu edhe llogaria e Ogicit.
Oficeri që shërben në një komisariat në Tiranë dëshmon se kërcënimi ka lidhje me detyrën , pasi ai nuk ka asnjë konflikt tjetër.
“Jam i bindur se një shtetasi me këtë mbiemër mund t’i kem vendosur një gjobë pra mase administrative, por nuk mbaj mend kohën, natyrën e shkeljes apo personin” thekson para hetuesve efektivi i policisë.
Burimet e prokurorisë shtojnë per TopChannel se janë kryer këqyrjet në sistemin TIMS për të konfirmuar nëse egziston apo jo një person me identitet të tillë , ndërkohë që komunikimet elektronike të të dyshuarit që shfaqet në facebook si admirues i automjeteve luksoze janë ekspertuar nga specialistet kundër krimeve kibernetike .
Teksa edhe policia është vënë në kërkim të kërcënuesit, oficeri i policisë që kërkon hetime pas ndihet i rrezikuar për jetën sipas burimeve është këshilluar nga prokurorët që mos ta mbyllë llogarinë e tij në facebook.
Top Channel