“Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Operacionalja ‘blindojnë’ vendin/ Masa për parandalimin e krimit, arrestohen 9 persona

18/09/2020 13:39
Ilustrim

Plan masash për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit etj.

Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Në të gjithë vendin, prej orës 18:00 të ditës së djeshme janë ngritur 69 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale.

Janë ushtruar kontrolle në dhjetëra mjete, banesa, lokale dhe ambiente të ndryshme.

Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas, janë proceduar penalisht 10 të tjerë, si dhe janë ndaluar 5 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa.

Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri armë zjarri.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 40 persona për verifikim.

Si rezultat i kontrolleve, në qarkun e Tiranës është kapur një person në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

Në qarkun e Fierit është arrestuar në flagrancë S. B., pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Është proceduar penalisht XH. G., pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.

Në qarkun e Durrësit është arrestuar në flagrancë shtetasi E. M., pasi gjatë kontrollit në mjetin e tij, që e drejtonte pa leje drejtimi, iu gjet një shkop metalik (armë e ftohtë). Është proceduar penalisht shtetasi K. L., pasi nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.

Në qarkun e Beratit është arrestuar në flagrancë shtetasi D. T., pasi iu gjetën disa doza me kokainë dhe cannabis sativa. Janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. H. dhe K. H., pasi gjatë kontrollit u kapën duke drejtuar motoçikletat pa leje drejtimi. Është kapur dhe ndaluar shtetasi L. V., i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Është arrestuar në flagrancë shtetasi K. K., pasi ka qenë me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, por gjatë kontrollit u kap nga shërbimet e Policisë në një lokal. Është proceduar penalisht shtetasi E. H., pasi gjatë kontrollit iu gjet një dorezë boksi.

Në qarkun e Vlorës është arrestuar në flagrancë shtetasi A. N., 16 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjet iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe 22 fishekë. Është proceduar në gjendje të lirë shtetasi S. N., pasi gjatë kontrollit personal iu gjetën disa doza me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në qarkun e Korçës është arrestuar në flagrancë shtetasi K. Sh., pronar i një lokali, pasi iu gjet një sasi cannabis sativa. Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në qarkun e Lezhës është arrestuar në flagrancë shtetasi P. B., pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lekësh të dyshuara të përftuara nga aktiviteti i paligjshëm në fushën e narkotikëve. Është proceduar penalisht shtetasi H. D., pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua një armë gjahu që e mbante pa leje. Janë ndaluar shtetasit A. G., Gj. G dhe N. G., të shpallur në kërkim për veprën penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”.

Operacioni vijon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA