Një uragan i porsaformuar po lëviz drejt brigjeve amerikane duke kërcënuar disa shtete jugore përfshirë Floridën, Misisipin dhe Alabamën.
Stuhia tropikale Sally u shpall uragan të hënën dhe pritet që shumë shpejt të prekë tokën, duke sjellë me vete deri në 30 centimetra shi dhe erëra me shpejtësi prej 135 kilometrash në orë në disa zona.
Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards, shteti i të cilit është ende duke u rimëkëmbur nga uragani i muajit të kaluar Laura, kërkoi nga banorët që “të bëhen të zgjuar dhe të qëndrojnë të sigurt”. Në pritje të uraganit që ndodhet rreth 175 milje në juglindje të Billoksit në Misisipi Alabama dhe Misisipi shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se Sally ka ndryshuar drejtim dhe nuk pritet të godasë drejtpërdrejt Luizianën, por gjithsesi mund të shkaktojë dallgë që rrezikojnë të sjellin përmbytje të mëdha.Të hënën, gati 80,000 shtëpi në Luiziana kanë qenë pa energji elektrike si rezultat i uraganit Laura, i cili goditi rajonin përpara tre javësh. Përveç Sallyt, janë edhe katër stuhi të tjera tropikale – Paulette, Rene, Teddy dhe Vicky – që po vërtiten në pellgun e Oqeanit Atlantik.
Top Channel