Autoriteti Palestinës ka dënuar sot marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA për normalizimin e lidhjeve Bahrein-Izrael.
Zyrtarët akuzuan Bahrein për tradhti ndaj popullit të shtypur palestinez dhe e quajtën marreveshjen “një thikë pas shpine ndaj të drejtave kombëtare të popullit të Palestinës dhe kauzës së tyre”.
Përfaqësuesi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Ahmed Majdalani tha: “Deluzioni i administratës amerikane se mund të bëjë paqe mes një shteti pushtues dhe vendeve arabe, pa tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara në Palestinë, është budallallëk politik”.
Ministria e jashtme e Autoritetit palestinez tha se po thërriste ambasadori e saj nga Bahreini.
Në mënyrë të ngjashme Autoriteti Palestinez dënoi dhe muajin e kaluar marrëveshjen e normalizimit të lidhjeve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe thërritën ambasadorin e tyre në Abu Dabi.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi dje marrëveshjen e normalizimit mes Izraelit dhe Bahreinit.
“Ata do të këmbejnë ambasada e ambasadorë, fluturime direkte mes vendeve dhe do të bashkëpunojnë në disa sektorë”, tha Trump.
Lëvizja e bën Bahreinin vendin e katërt arab që vendos lidhje të plota diplomatike me Izraelin pas Egjiptit, Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Top Channel