Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog, ka bërë të ditura të enjten prioritetet e tij gjatë mandatit të ri të saponisur në këtë shtet.
Pasardhësi i Natalia Apostolovas, ka thënë se blloku evropian do të vazhdojë t’i ndihmojë institucionet e Kosovës në menaxhimin e pandemisë me koronavirus.
Sipas tij, BE-ja deri më tani ka ndarë për Kosovën 168 milionë euro për të adresuar aspektet shoqërore-ekonomike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
“Krahas asistencës në lidhje me COVID-19, unë do të vazhdoj të promovoj prioritetet tashmë të vendosura dhe afatgjata të BE-së: arsim më të mirë për të gjithë, më shumë siguri juridike, mbështetje për rritjen ekonomike dhe klimë të përmirësuar për investime. Është thelbësore që qytetarët të kenë besim tek institucionet dhe të dinë që përparimi i tyre në jetë është rezultat i punës dhe i meritave të tyre. Unë do të vazhdoj të bëj thirrje për luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Szunyog përmes një deklarate.
Mes tjerash ambasadori i ri i BE-së në Kosovë ka përmendur edhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), njërësh marrëveshjen e parë dhe të vetme mes Kosovës dhe BE-së.
Top Channel