Zbulohen gjinkallat “zombi”, truri i të cilave komandohet nga kërpudha parazite

14/08/2020 21:41

Studiuesit amerikanë thanë se kanë zbuluar në West Virginia ato që quajnë “gjinkallat zombi”, truri i të cilave kontrollohet nga një kërpudhë parazite që gradualisht konsumon të gjithë insektin.

Shkencëtarët thonë se kërpudha psikodelike e quajtur Massospora e bën këtë me anë të përbërësve halucinogjenë të ngjashëm me ato të “kërpudhave magjike”.

Sipas studimit efekti që “fungus-i” ka mbi gjinkallën është ndryshe nga viruset e tjerë të ndryshimit të sjelljes, si për shembull ai i tërbimit. Të dy këto patogjenë e ‘listojnë’ kafshën që parazitojnë për transmetimin e fungus-it në kafshë të tjera ‘pritëse’.

Studiuesit e Universitetit të West Virginia thonë se gjinkallat e infektuara, në mënyrë të pandërgjegjshme joshin insekte të tjera për transmetimin e suksesshëm të sëmundjes.

Fungus-i Massospora bën që gjinkallat mashkull të infektuara, te imitojnë me lëvizjen e krahëve femrat gjatë periudhës së çiftimit, për të joshur të tjerë gjinkalla mashkull të vijnë te to për t’u infektuar.

Zbulimet tregojnë gjithashtu se infeksioni shkakton një sjellje të egzagjeruar seksuale.

Bashkëautori i studimit Brian Lovett, tha: “Kërpudha parazite komandon gjinkallën e infektuar të tërheqë sa më shumë insekte të tjera që janë të interesuara në çiftim.

Përbërësit bioaktivë të parazitit e detyrojnë insektin e infektuar të qëndrojë zgjuar dhe të vazhdojë të transmetojë patogjenin për sa më gjatë”.

Lovett shton se fungusi Massospora ha gradualisht gjinkallën duke nisur nga pjesa e pasme, pastaj barkun, organet seksuale, duke i zëvendësuar ato me sporet e veta, sipas tij “duke i fshirë si goma, shkrimin e lapsit”.

“Kur këto patogjenë infektojnë gjinkallat, është e qartë se patogjeni kontrollon sjelljen e insektit duke bërë veprime që janë kundër interesit të tij dhe në interes të patogjenit”, tha Lovett.

Megjithëse fungus-i nuk është një rrezik për popullatën e gjinkallave në SHBA, sigurisht që është një skenar i vogël për filma horror që të bën të rrënqethesh. Studiuesit thonë se ai nuk mund të infektojë njerëzit.

FOTO GALERI
1/3
Gjinkalla te infektuara

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA