Presidenti Ilir Meta

Përplasja publike me e fortë mes Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë kulmoi me protestën e 2 Marsit, nga ku Ilir Meta kërcënoi me shpërndarje të Parlamentit, por mes dy institucioneve ka pasur edhe një tjetër betejë të heshtur, “luftë me dekrete.

Kur Parlamenti mbylli dyert, opozita jashtë parlamentare u shqetësua nga një projektligj i miratuar në fund të sesionit, i cili e ndan Shqipërinë në 4 rajone zhvillimi, kufijtë e të cilave do përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Njëzëri Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ngritën alarmin se kjo ndarje e re administrative fsheh synimet elektorale të mazhorancës.

I të njëjtit mendim është edhe kreu i shtetit, i cili i ktheu për rishqyrtim Parlamentit ligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin me argumentin kryesor se qëllimi real i tij është “parapërgatitja e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike”.

Argumentet e Presidentit përforcohen nga fakti se me ndarjen e re kompetencat e Qarkut i kalojnë Komitetit Kombëtar për Zhvillimin Rajonal, organ i cili do drejtohet nga zv. Kryeministri, duke treguar hapur sipas Presidentit Meta varësinë direkte politike të Kryeministri mbi qeverisjen vendore.

Ndarja e Shqipërisë në katër rajone është ide e vjetër e kësaj mazhorance, por ajo mohon akuzat për përfitime elektorale. Socialistët e lidhin ndarjen e re më një shpërndarje me të mirë të fondeve për zhvillim duke siguruar se kompetencat e pushtetit vendor nuk preken.

Argumentet

Ligji nr. 102/2020, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, bie hapur ndesh:
-me disa dispozita të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,
-me parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar dhe
-ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga aparati i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij (neni 13 i Kushtetutës).

Këshillit të Ministrave përmes këtij ligji i jepet autoritet që të vendosë se cilat do të jenë 4 (katër) rajonet e zhvillimit dhe kufijtë e tyre. Por e drejta për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e asaj që përcakton Kushtetuta.

Një ndarje e tillë në rajone zhvillimi, kufijtë e të cilave përcaktohen sipas nenit 4, nga Këshilli i Ministrave, në mungesë konsultimi me banorët e secilës zonë, ka ndikim direkt në mënyrën e orientimit të politikave zhvillimore në këto zona, duke krijuar një ndarje të re, të cilën Kushtetuta nuk e njeh.

Kjo ndarje antikushtetuese dhe arbitrare, kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre.

Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë.

Ky akt, miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushteteuse dhe ato në Kodin Zgjedhor, synon parapërgatitjen e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike.

Miratimi i ligjit nr. 102/2020, krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor, duke anashkaluar parashikimet dhe organet e përcaktuara nga Kushtetuta, çka tregon qartë se qëllimi i këtij ligji është në kundërshtim me rendin shoqëror demokratik në Republikën e Shqipërisë dhe krejtësisht i panevojshëm për realitetin e vendit.

Një akt i tillë, po imponohet pa asnjë konsultim, kur në dokumentacionin parlamentar deklarohet se, konsultimi është bërë në periudhën mars- maj 2020, kohë kjo kur vendi ka qenë nën efektet e aplikimit të masave të veçanta për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Nuk mund të pretendohet dhe as të pranohet se si brenda periudhës së fatkeqësisë natyrore dhe një situate të rënduar të një pandemie (për shkak të Covid-19), të konsiderosh të realizuar konsultimin e një nisme me rëndësi të tillë.

Top Channel