Katër ditë pasi protestuesi Eduard Subashi u tërhoq zvarrë se po protestonte në Zvërnec, shkon në tre numri i të arrestuarve.

Ata janë dy roje privat sigurie, Artur Grami 35 vjeç dhe Gazmend Vathi 41, të dyshuar se në bashkëpunim me Gerald Bibën kanë dhunuar dhe tërhequr me forcë protestuesin gjatë tubimit, në zonën e Portonovës.

Sipas hetimeve, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj pjesëmarrësit në protestë dhe më pas e kanë mbajtur me forcë në një kabinë roje, deri në ndërhyrjen e policisë.

Dy ditë më parë gjykata e Vlorës la në burg Geraldo Bibën. Ndaj tij dhe dy të arrestuarve të tjerë është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në incident.

Nga verifikimet rezulton se Artur Grami dhe Gazmend Vathi nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga ndonjë subjekt privat, ndonëse vepronin si pjesë e kompanisë “Major Security”.

Rojet e “Major Security” u panë me maska të zeza në protestë dhe hodhën spraj me piper ndaj protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

Për shkak të shkeljeve të konstatuara, Policia e Shtetit vendosi t’u heqë licencat si “Major Security”, ashtu edhe kompanisë tjetër “Myrto Security”.

“Vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë autorët e veprimeve ose mosveprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec.

Ndalohen dhe vihen në pranga 2 shtetasit që tërhoqën me forcë, pjesëmarrësin në tubim.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.

Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme“, njofton policia.

Top Channel