Gati tri javë pas zbulimit të një droni detar të ngarkuar me lëndë shpërthyese pranë brigjeve të Lefkadës, Greqia ka ndërmarrë zyrtarisht një hap diplomatik ndaj Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis në konferencën për korrespodentët e huaj, i cili njoftoi se Athina i ka dorëzuar Kievit të premten e kaluar një notë proteste me shkrim dhe gojarisht, si përmes ambasadës ukrainase në Athinë, ashtu edhe drejtpërdrejt Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Droni detar u zbulua nga një peshkatar më 7 maj në një shpellë detare pranë Kepit Dukato në ishullin e Lefkadës.

Një ditë më vonë , mjeti u transportua për ekzaminim nga autoritetet greke dhe më pas u krye neutralizimi i lëndëve shpërthyese që ndodheshin në të.

Sipas autoriteteve greke, droni detar përbënte rrezik serioz për sigurinë e lundrimit në Mesdhe. Në notën e protestës theksohet se ai mund të kishte shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme të pallogaritshme mjedisore.
Athina argumenton gjithashtu se zhvendosja e operacioneve ushtarake nga zona e konfliktit drejt Mesdheut krijon rreziqe për sigurinë kombëtare të Greqisë dhe mund të ketë pasoja edhe për ekonominë e vendit.

Ministri Gerapetritis bëri të ditur se për rezultatet e hetimit ka informuar Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Çështja, sipas tij, është ngritur edhe gjatë takimit që zhvilloi me homologun ukrainas në Limasol të Qipros.

Në dokumentin diplomatik, Athina nënvizon se e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje nuk mund të justifikojë veprime të tilla dhe i kërkon Kievit të shmangë në të ardhmen operacione që mund të transferojnë pasojat e luftës në Mesdhe. Deri tani nuk ka ende përgjigje zyrtare të autoriteteve ukrainase për incidentin.

Top Channel