Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të raportojë të premten përpara ligjvënësve, në lidhje me raundin e fundit të dialogut me Serbinë, të zhvilluar javën e kaluar në Bruksel.

Osmani tha se ftesa është bërë pas letrës që ka marrë nga Hoti, ku ai ka shprehur gatishmërinë për të raportuar në kuvend, dhe pas konsultimeve që i ka pasur me Kryesinë e Kuvendit.

“Tani presim përgjigjen nga ana e kryeministrit rreth kohës së propozuar”, tha Osmani në një konferencë për media në Prishtinë.

Hoti, javën e kaluar, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë.

Takimi ka qenë i pari i drejtpërdrejtë midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, qysh në fund të vitit 2018.

Atëbotë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.

Taksa është zëvendësuar më vonë me masa reciprociteti, por me ardhjen e Hotit në pushtet, në fillim të qershorit, ato janë hequr, për t’i dhënë mundësi, siç është thënë, vazhdimit të dialogut.

Në takimin e fundit, tema kryesore kanë qenë personat e pagjetur të luftës dhe bashkëpunimi ekonomik.

Për këtë javë, Brukseli ka paralajmëruar një takim tjetër midis Kosovës dhe Serbisë, në nivel teknik, por Hoti e mohoi mundësinë që të ketë një proces të ri teknik, ndërsa takimin e paralajmëruar e konsideroi si pikënisje për draftimin e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA