Liderët e Bashkimit Evropian pritet të takohen edhe njëherë më 18 korrik, pasi dështuan që të bëjnë përparim në bisedimet për një plan stimulues, që do të ndihmonte në rinisjen e ekonomive rajonale, që janë goditur nga pandemia e koronavirusit.
Samiti dyditor, që nisi më 17 korrik, është takimi i parë sy më sy i liderëve të 27 vendeve të bllokut, që prej se kriza me pandeminë nisi pesë muaj më parë.
Një burim i tha agjencisë gjermane të lajmeve Dpa, se negociatat janë “në një moment të vështirë”, teksa u përmbyll dita e parë e bisedimeve. Ky burim tha se pengesë u paraqit çështja e qeverisjes mbi shpenzimet stimuluese. Ndërkaq, zyrtarët i thanë agjencisë Reuters se disa shtete veriore, të kryesuara Holanda, kanë linjë më të ashpër rreth qasjes në këtë fond të rimëkëmbjes, teksa kundërshtime ka nga Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe shtetet e Evropës Linore.
Liderët e BE-së po bisedojnë për buxhetin e bllokut për vitet 2021-2027, që kap shifrën prej 1 trilion eurosh ndërkaq fondi i rimëkëmbjes është paraparë të jetë 750 miliardë euro.
Ky fond ka për qëllim të ndihmojë vendet më të goditura nga pandemia. Ndasitë janë lidhur me buxhetin e përgjithshëm të fondit, por edhe për mënyrën e shpërndarjes së tij, përmes granteve dhe borxheve./REL
Top Channel