Kryeministri Edi Rama tha, gjatë konferencës për media, se nëse Lulzim Basha mendon se mund të vijë në pushtet me formula dhe me rrugë, që nuk kalojnë nga rruga e qytetarëve, atëherë përgatitet për humbjen e radhës.
Sipas Ramës, PD duhet të pranojë realitetin, pasi është pakicë dhe nuk mund t’i imponohet shumicës.
“Unë jam i vetëdijshëm edhe për sa na takon ne, që pas 7 vitesh një qeverisje sigurisht që do ballafaqohet më shumë me të meta, se sa pas 1 viti, por këtë që shoh këtu që populli të jetë më i mërzitur me opozitën, se me qeverinë, nuk e kam parë në asnjë vend.
Ne po bëjmë një përmirësim të procesit zgjedhor. Nëse Basha mendon që në pushtet vihet me formula dhe me rrugë që nuk kalojnë nga rruga e qytetarëve, atëherë thjesht dhe vetëm përgatitet për humbjen tjetër. Nuk do t’i ndalojë kush që të jenë bashkë me Monikën, me Nard Ndokën, me Fate Mediun, absolutisht. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën.
PD duhet të pranojë realitetin, janë pakicë dreqi e mori, nuk janë shumicë, dhe sa më shumë sillen si shumicë, aq më pak shanse kanë të bëhen shumicë, sepse pakica duhet të mbrohet me gjithë dinjitetin e vet, por jo t’i imponohet shumicës me dogma. Ata ikën nga Parlamenti, kanë bërë dicka që po të ishte puna për perspektivën evropiane nuk e kanë shokun në Evropë, për të gjetur shokë në Evropë duhet të shkojnë në vitin 1922. Është rasti i parë që një opozitë braktisi Parlamentin dhe më pas u shkri fare.
Unë mendoj që gjërat do të shkojnë në vendin e vet. Ajo që do të ndihmojë që mjegulla të shpërndahet është fakti që thelbi është i padiskutueshëm. Nuk mund të thuhet që Rama po bën dicka anti Shqipërisë. Po ashtu, askush nuk mund të thotë se marrëveshja me opozitën jashtëparlamentare ishte reforma, jo. Ne do të përballemi me produktet, jo me llafet”, tha Rama.
Top Channel