
Napoli e Milani u ndanë në paqe në sfidën e zhvilluar në “San Paolo”, ku të dyja skuadrat dhuruan emocione të shumta, çka u reflektua me 4 gola, shumë kartonë të verdhë dhe një i kuq për kuqezinjtë. Një pikë e artë e fituar nga “Djalli” për Europën, për më tepër që skuadra e drejtuar nga Pioli favorizohet nga kalendari në javët e mbetura të Serisë A.
Napoli e nisi furishëm sfidën, por Gigio Donnarumma u bë shpëtimtari i Milanit në disa raste të njëpasnjëshme e pikërisht në momentin (20’) më të mirë të vendasve shënuan miqtë me një goditje fluturimthi të Hernandezit, i harruar vetëm në shtyllën e dytë.
Napoli reagoi shumë shpejt me Di Lorenzon, që e pati të lehtë ta shtynte topin për në rrjetë, pasi Dunnarumma nuk mundi ta kontrollonte apo ta largonte topin nga zona e tij në zhvillimet e një goditjeje të lirë në minutën e 33-të.
Një pasiguri e mbrojtjes kuqezi dhe e Dunnarummas u shfrytëzua nga Dries Mertens në minutën e 60-të, me Napolin që përmbysi shifrat, por pa mundur të ruante avatazhin, pasi në të 73-ën Kessie shndërroi në gol 11-metërshin e fituar nga Bonaventura.
Largimi me karton të kuq i Saelemaekers, pas dy të verdhave, në minutën e 88-të, nuk u shfrytëzua nga lojtarët e Napolit, që në fund u pajtuan me barazimin, me Romën që mbetet e pesta në renditje me dy pikë më shumë se napolitanët.
Top Channel