Trajneri i Tiranës Emanuel Ego u shfaq i qetë në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku vlerësoi maksimalisht angazhimin e të tijve deri në fund për të shmangur humbjen, por pranoi se lojtarët kanë nisur llogaritë tashmë.
Një tjetër ndeshje ku shpërdoroni dhe shënoni vetëm një gol. Çfarë po ndodh me Tiranën?
Jemi në sprintin final të kampionatit dhe normalisht që pavarësisht punës tonë, të gjithë fillojnë dhe bëjnë llogaritë, ndaj kjo na e prish disi qetësinë në fushë. Për më tepër ishte një ndeshje derbi, që të karikon më shumë sesa duhet dhe ne vinim pas dy humbjeve radhazi në këtë sfidë.
Goli erdhi nga stoli. Pse i bënë kaq vonë zëvendësimet?
E kam thënë gjithmonë që ne si staf i shohim më qetësisht gjërat dhe marrim përsipër shumë faktorë, kur vendosim të bëjmë një ndërrim. Më vjen mirë që sot ishte radha e Muçit të hynte në fushë dhe të shënonte.
Keni edhe tre ndeshje, a mendoni se tani jeni më pranë titullit?
Unë e kam thënë gjithmonë që ne do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe vetëm në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë. Tani do të mendojmë për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, sepse duam finalen dhe pastaj do të mendojmë sërish për kampionatin.
Duke parë gjithë sa ka ndodhur në javën e fundit, a është skuadra e bashkuar për të bërë mbylljen e duhur të kampionatit?
Pikërisht se është skuadra e bashkuar, ne luajtëm deri në sekondat e fundit dhe ia dolëm të marrim barazimin. Po të shikoje, lojtarët vraponin dhe ndihmonin njëri-tjetrin deri në sekondën e fundit, për të shmangur humbjen. Djemtë e kanë të qartë që vetëm duke bashkëpunuar më njëri-tjetrin, brenda dhe jashtë fushës, mund të arrijmë rezultate.
Duke parë statistikat e Muçit, a mendoni se meriton më shumë minuta?
Duhet thënë se para pandemisë vinte nga dëmtimi dhe nuk ishte në formën më të mirë. E kemi përfshirë gradualisht, duke i dhënë minuta në skuadrën e parë, por edhe në ekipin e të rinjve, ndërsa sot na e shpërbleu me golin e barazimit.
Top Channel