Mungon zyrtarizimi, por është vetëm çështje kohe që Ralf Rangnick të prezantohet në pankinën e Milanit, pasi siç raportojnë mediat në vendin fqinj, tashmë ka një marrëveshje totale mes palëve. Tekniku gjerman pritet të vijë në Itali me një rol tërësisht të ri për klubet e Serisë A, atë të trajnerit që do të ketë kompetencat e drejtorit teknik, por edhe njëkohësisht të shefit të ekipit mjekësor.
Thënë ndryshe, Ralf Rangnick ka marrë besimin e plotë nga Ivan Gazidis për të ndërtuar dhe drejtuar një skuadër të denjë për emrin dhe fanellën që kanë, por duke respektuar edhe parametrat ekonomikë të klubit. Paraprakisht raportohet se zyrtarizimi i Rangnick do të vijë vetëm në përfundim të kampionatit, ose më herët nëse Milani i Piolit do të dalë nga gara për një vend në Europa League, ndërsa bashkë me trajnerin italian, mund të largohet edhe legjenda e klubit kuqezi, Paolo Maldini.
Kjo pasi me kompetencat e zonës teknike që do të jenë tërësisht në duart e Rangnick, ish kapitenit të Milanit është planifikuar t’i propozohet roli i ambasadorit të nderit nëpër botë, post që vështirë se do të pranohet nga Maldini, aktualisht i angazhuar si Drejtor Teknik. Mediat në Itali këmbëngulin se në ambientin kuqezi e dinë të gjithë për ardhjen e Rangnick, ndërsa futbollistët po japin maksimumin edhe për faktin se janë shumë të lidhur me trajnerin aktual Stefano Pioli.
Megjithatë Fondi Elliot, që ka edhe pronësinë e Milanit”, ka vendosur t’i besojë detyrën një emri si Rangnick, i cili shquhet për vlerësimi maksimal që u bën të rinjve, ndaj edhe merkatoja do të jetë e orientuar ndaj kësaj kategorie lojtarësh. Me trajnerin gjerman në pankinë, emra si Calhanoglu e Rebic pritet të marrin një rol mjaft të rëndësishëm, ndërsa ka mbetur jashtë projektit për sezonin e ardhshëm gjiganti suedez Zlatan Ibrahimovic, i cili pritet të largohet në përfundim të kampionatit.
Top Channel