Shkonin tek “aleluja”/ Flasin të njohurit në Përmet: Familje e mirë. Kisha evangjeliste, e mbyllur prej 2 vjetësh

05/07/2020 19:48

Godina që gjendet pas meje është kisha ungjillore e drejtuar nga predikues norvegjezë që prej 20 vitesh në Përmet.

Ajo është mbyllur tashmë prej dy vitesh. Anisa dhe Blerta, të dy vajzat e familjes Josifi që shkuan drejt vetëflijimit ishin praktikante të këtij sekti që prej fëmijërisë së tyre megjithatë banorët e Përmetit nuk e lidhin aktin e vetëflijimit me predikimin pranë këtij institucioni. Shumë fëmijë në atë kohë sipas banorëve ishin anëtarë të kishës, por kjo vetëm i ka sjellë paqe qytetit. Familja sipas qytetarëve të Përmetit, sipas miqve të Zhanetës dhe mësueseve të vajzave ka qenë një familje normale e dedikuar te puna.

“Ngjarje e pazakontë dhe tragjedi e paparë. Unë u shokova kur e dëgjova se i njihja kështu. Ishin në punën e tyre nuk ngatërroheshin me njeri. Ato vajzat ishin inteligjente dhe është e pafalshme që të arrinte deri këtu. Kaq mund të them unë.”

“Që kur zbriti nga fshati këtë punë bëri, shiste këtu. Njeri me norma me rregulla. Unë kam përshtypjet më të mira.”

Gazetarja: Ju shokoi ngjarja?

“Patjetër, nuk gjej fjalë ta them. Më ka dhembur aq shumë dhe bile më dridhet shpirti kur flas. Kjo është e padëgjuar dhe e paparë në botë, as nëpër filma s’kemi parë këto lloj gjërash”

“I kam njohur, i kishim në lagje. Ai ka qenë mësues dhe e shoqja nuk e di ku punonte, por ishte grua shumë e mirë edhe vajzat shumë të mira. Ja unë tani sa erdha u ndeza nga një qiri. Kur kam parë fotografinë atje jam shokuar. Më duket se vajzat kanë qenë tek Alelujah.”

“Qyteti e përcolli shumë keq. Ju erdhi shumë keq të gjithëve. Askush nuk e priste se ata ishin njerëz të nderuar, si i shoqi edhe vetë edhe vajzat. Vajzat të shkëlqyera në shkollë se unë e kam patur vajzën e saj me vajzën time. Kur ishin të vogla e mbaj mend që shkonin tek Alelujah. Pasi vdiq i shoqi morri vajzat dhe u largua.”

“ Unë me Zhanetën kemi qenë shumë afër, shoqe. Është nga një fshat i Përmetit, banonte këtu, kish’ dy vajza dhe ishte grua shumë e mirë.”

Gazetarja: Çfarë mund ta ketë çuar drejt këtij akti?

“Feja e ka çuar, se në ç’fe është futur nuk e di, një të vërtetë po them, jam dhe e moshuar por të vërtetën po them. Nuk më ka zënë gjumi dhe vemi ku vemi e kemi mendjen atje, si ju ndodhi se e njihnim, grua e përsosur.”

“ Një familje shumë e rregullt se unë i kam pasur të dyja nxënëse dhe Blertën dhe Anisën dhe të them të drejtën jemi shokuar. Mund të them për të dyja nxënëset me format të shkëlqyer. Sa kanë qenë në Përmet e di që shkonin te kisha ungjillore dhe ishin vajza të mrekullueshme. Drejtësia duhet të vihet në vend. Nuk e di kush ka ndikuar tek kjo familje sepse në kushte normale nuk do ta bënin. Nuk di ç’të them.”

Të afërmit dhe miqtë nuk kishin të reja prej tyre për një kohë të gjatë dhe me kalimin e viteve gjithnjë e më pak dihej për Zhanetën dhe të bijat, madje një mike e afërt thotë se edhe familjarët prej gati dy vitesh i kishin shkëputur marrëdhëniet me Zhanetën. Të trija gratë duket se i mbanin larg të afërmit për të fshehur aktin e vetëflijimit. Në Përmet ku shumë qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit Zhanetës dhe të bijës apelohet për drejtësi për të gjetur shkaktarët e vërtetë pas kësaj ngjarjeje të rëndë që ka prekur të gjithë opinionin, jo vetëm në Përmet, por në të gjithë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA