Biblioteka mbush 100 vjeç/ Nis projekti për digjitalizimin e gjithë fondit të librave

01/07/2020 15:34

Biblioteka Kombëtare feston këtë muaj ditëlindjen e saj të 100. Institucioni me i vjetër i kulturës shqiptare ndodhet përballë sfidave të mëdha.

Së pari; mungesa e hapësirave fizike. Së dyti; mungesa e bibliotekave të tjera alternative që do të kryenin funksione të cilat nuk ka pse i kryen Biblioteka Kombëtare. Megjithatë në ketë ditëlindje të 100 është bere i ditur lajmi i digjitalizimit të fondit të Bibliotekës Kombëtare, cka do te bëjë të mundur qe cdo lexues këtu dhe pertej kufijve, të ketë të aksesueshëm nga shtëpia artefaktet.

Por sa është e mundur kjo? Sa kohë do te duhet? A do të tkurrë kjo lexuesin? Këto ngelen ende pikëpyetje.

-Janë dy objektiva të medha. Të bëhen te njohura për publikun pasuritë jashtezakonisht të mëdha qe ka biblioteka. Dhe hapja e saj sa më e madhe. Nga 160 koleksione të Bibliotekës Kombëtare, 127 nga këto janë te plota që mund të konsultohen nga gjithkush. Ndër libra 154 janë tani te hedhura, dorëshkrime 178, antikuare 178 dhe 78 harta. Është një proces në vazhdim.

Librat dhe dorëshkrimet unike të bibliotekës kanë mbijetuar mes përmbytjes dhe zjarrit. Projekti i një godine të re për këtë institucion ende nuk ështe konkret.

-Projekti madhor është projekti i Bibliotekës së re Kombëtare. Për këtë kemi marrë nje hap konkret me Bashkinë e Tiranës. Kemi përcaktuar nje zonë ku do të jetë zona e një poli të ri kulturor dhe biblioteka është qendra e këtij poli. Do te donim që në tetor të kishim hapat konkretë të projektit

Problemet e mbartura në më shumë se tre dekada e vështirësojnë edhe më të ardhmen e institucionet më të rëndësishëm të kujtesës kombëtare. Ndaj ky 100 vjetor është edhe një thirrje për vëmendje.

-Në fakt bibliotekat kombëtare në gjithë botën nuk japin libra. Janë bibliotekat publike që e bëjnë. Por ky është pikërisht problemi që në Tiranë sot nuk ekziston një bibliotekë publike e bashkisë që të japë libra. Kështu që padyshim është krijuar një situatë jo normale. Këtu ka nje mungesë hapësirash. Brenda vendit nuk ka mundësi te zgjerohemi. Edhe për më tepër dhe digjitalizmi ka nje limit, i cili ka të bëjë me të drejtën e autorit.

Biblioteka Kombëtare u krijua më 10 korrik 1920 nën drejtimin e Prof. Mati Logorecit, i caktuar asokohe nga Ministria e Arsimit. Etapat e saj të zhvillimit lidhen me kontributin e një sërë emrash qe nga Karl Gurakuqi e Aleks Buda e deri tek Valdete Sala, Nermin Basha, Aurel Plasari etj. /Jetona Kocibelli/

Top Channel