Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi dje dekretin e “mbrojtjes së statujave” në SHBA, pasi disa monumente historike dhe statuja janë shkatërruar në demonstratat kundër vrasjes së afro-amerikanit George Floyd si rezultat i dhunës së policisë.
“Pata privilegjin të nënshkruaj një dekret shumë të fortë për të mbrojtur monumentet dhe statujat amerikane dhe për të luftuar krimet e dhunshme të kohëve të fundit”, shkroi Trump në Twitter.
“Dënime të gjata me burg i presin ata që i kryejnë këto akte të paligjshme kundër vendit tonë të madh”, shtoi Trump.
Ai tha se ka hequr dorë nga kalimi i fundjavës në pushimoren e tij në New Jersey, duke shtuar se ka preferuar të qëndrojë në Washington për të qenë i sigurt se ligji dhe rendi zbatohen.
Zhvillimi vjen pasi dy javë të tëra SHBA u përfshi nga protestat masive pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd nga dhuna policore më 25 maj.
Gjatë këtyre protestave, në shumë vende të SHBA u sulmuan ose shkatërruan statuja të personaliteteve historike që kishin qenë përkrahës të skllavërisë dhe të vrasjes së banorëve indigjenë gjatë themelimit te SHBA.
Trump më herët ishte zotuar të ndërmerrte hapa për sanksione të rrepta kundër atyre që përpiqen të dëmtojnë monumentet historike dhe statujat.
Top Channel