Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për rishikimin e një ligji, i cili prej kohësh mbron kompanitë Twitter, Facebook dhe Google që ato të mos mbajnë përgjegjësi për materialin e postuar nga përdoruesit.
Njoftimi vjen pasi kërcënimeve të Presidentit se do të mbyllte faqe të caktuara interneti që ai i akuzon se po mbysin zërat konservatorë.
Dy ditë më parë zoti Trump u përfshi në një debat me kompaninë e rrjeteve sociale Twitter, kur ajo vendosi t’u shtojë shënime tweeteve të Presidentit rreth pretendimeve të tij, të pa mbështetura në fakte, për manipulime në votimin me postë.
Kompania u kishte shtuar tweeteve të presidentit një paralajmërim, ku i nxiste lexuesit të kontrollonin faktet.
Urdhri ekzekutiv do t’i kërkonte Komisionit Federal të Komunikimit të propozojë apo sqarojë disa rregullore të kapitullit 230 në Ligjin për Komunikimin e Qytetëruar, sipas të cilave platformat e internetit nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për materialin që postojnë përdoruesit e tyre.
Ndryshime të tilla mund t’i ekspozojnë kompanitë e teknologjisë ndaj padive të reja ligjore.
Në projekt-urdhrin ekzekutiv i kërkohet Komisionit Federal të Komunikimit të shqyrtojë nëse veprimet të cilat lidhen me ndryshimet që kompanitë e mediave sociale vendosin t’i bëjnë përmbajtjes së postuar në platformat e tyre, duhet të çojnë në humbjen e mbrojtjes që ato gëzojnë sipas kapitullit 230 të ligjit.
Projekt-urdhri i kërkon gjithashtu agjencisë në fjalë të shqyrtojë nëse një platformë e medias sociale përdor praktika mashtruese për të ndryshuar përmbajtjen e postuar dhe nëse këto praktika nuk janë në përputhje me statutin e saj.
Në projekt-urdhër thuhet se Zyra e Strategjisë Dixhitale pranë Shtëpisë së Bardhë do të ngrejë një mekanizëm për të ndihmuar qytetarët të raportojnë raste të censurës në internet.
REAGIMET
Marcus Messner, ekspert për mediat në Universitin e Komonuelthit të Virxhinias i tha Zërit të Amerikës se “kompanitë e mediave sociale prej vitesh luftojnë kundër përhapjes së dezinformatave dhe për nevojën e verifikimit të fakteve, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale.”
“Twitter ka të drejtë të vënë në dukje informacionet që janë të pasakta, edhe kur kjo ka të bëjë me tweete të Presidentit Trump,” tha profesor Messner.
Profesori i gazetarisë vuri në dukje se hapi i ndërmarrë nga Twitteri prek linjën delikate “mes verifikimit të fakteve dhe rrezikut se mund të akuzohesh për censurim të fjalës politike me veprime më drastike, si fshirja e postimeve apo pezullimi i llogarive.”
Profesor Messner tha se çështja që shtrohet është: “nëse u shton postimeve një link për verifikim faktesh që të çon tek shkrime të ndryshme të mediave, a do të pranoheshin ato nga mbështetësit e Presidentit Trump, të cilët regullisht i mohojnë raportimet e mediave të mëdha?”
Efekti i veprimeve të tilla në këtë atmosferë të ndezur partiake do të ishte i kufizuar, thotë profesori.
Shefi ekzekutiv i firmës Twitter Jack Dorsey tha në faqen e internetit të kompanisë se tweetet e presidentit “mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë gabimisht se ata nuk kanë nevojë të regjistrohen për të marrë një fletëvotimi me postë. Synimi ynë është të sqarojmë deklarimet konfliktuale dhe të japim informacionet për të cilat ka debate, në mënyrë që njerëzit të mund të gjykojnë vetë.”
Steve DelBianco, president i NetChoice, një grup komercial që ka në klientelën e tij edhe kompanitë Twitter, Facebook dhe Google, tha se “presidenti është duke shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke kërcënuar të drejtat themelore të fjalës së lirë për platformat e mediave sociale”. Ky hap i administratës “i nxit qeveritë e huaja të kontrollojnë lirinë e shprehjes në internet,” tha ai në një deklaratë të enjten./VOA/
Top Channel